Berisha: I bëra një letër Anthony Blinken dy orë pas vendimit

Sali Berisha akuzon George Soros dhe Edi Ramën se lobuan te Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken për shpalljen e tij non grata në SHBA. 

Gjatë takimit me demokratët e Tropojës në kuadër të lëvizjes ‘Foltorja’ për reformimin e Partisë Demokratike, Berisha zbuloi se dy orë pas vendimit të 19 majit i ka dërguar një letër Sekretarit Blinken.

Berisha tha se beteja e tij është për dinjitet, ndërsa ftoi Blinken që të paraqesë provat dhe faktet në Gjykatën e Parisit.
“Sekretari i Shtetit Antony Blinken njoftoi në Twitterin e tij se më kishte shpallur non grata, unë pas dy orësh i bëra një letër, ku i them se kjo është një vepër e lobimit korruptiv të Xhorxh Soros dhe Edi Ramës, dhe i them ato fjalët, por ndërkohë mendova gjatë e gjatë me veten time, cilën rrugë do ndiqja. Kisha mundësi, kisha miq të shumtë, më shumë se kushdo tjetër, në të gjitha nivelet në dy partitë.
Të kërkoja ndihmën e tyre për ta heq atë vendim. Jo thashë nuk do ta bëj, nuk do ti kërkoj askujt mbi tokë ndihmë, për një gjë për të cilën kurrë nuk ka njeri që mund të gjej një fakt, provë apo dokument. Pse do kërkoj ndihmë?! Më cenon dinjitetin edhe unë do ta çoj në gjykatë shkëlqesinë e tij për shpifje. Kjo ma thjeshtoi skemën. Kjo është një betejë për dinjitetin, unë do ta bëja deri ditën e fundit të jetës sime, natyrisht me rrugë ligjore. Ftoj Sekretarin e shtetit që çdo provë, dokument, çfarëdo që të ketë qeveria e tij apo çdo qeveri në botë ta dorëzojë në Gjykatën e Parisit. Por ju garantoj se nuk ka dhe s’ka për të patur kurrë, është fund e krye shpifje”, u shpreh Berisha.

Read Previous

Putin bën thirrje për miratim të ndërsjellë të vaksinave kundër Covid

Read Next

Lukashenko thotë se Krimea është ruse / Do të vizitojë gadishullin me Putinin