Berisha: Do të ngrihemi me një lëvizje të fuqishme

Pas humbjes në zgjedhje, ish-kryeministri ka deklaruar se do të ketë protesta të fuqishme.

Gjatë takimit me 61 kandidatët e bashkive, Berisha u shpreh se e vetmja rrugëdalje është që qytetarët të ngrihen dhe të mbrojnë kombin e tyre nga një proces shkatërrimi që nuk e ka pësuar asnjë komb tjetër në botë.

“PD duhet t’i rikthehet protestës. E vështirë, sakrificë, por rrugë tjetër, ju garantoj se vetëm veten e gënjejmë.

Ne nuk jemi ata që gënjejmë veten, por besojmë të vërtetat.

Nuk mundet opozita të ndalojë qeverinë të shpërndajë 680 mijë zarfe.

Një kriminel si ky, një krimministër që shpall Kodin Elektoral kinezëri, sikur të ishte udhëheqësi i Koresë së Veriut, tregon qartë se nuk njeh asnjë ligj, asnjë standard dhe se me të, zgjedhje nuk mund të ketë.

Kështu që demokratët dhe opozitarët duhet të marrin vendime individuale për të dalë së bashku në një betejë të hapur.

Asgjë përveçse për të votuar të lirë.

Edi Rama tregoi fytyrën e tij, tregoi se ka futur në kthetra në mënyrën më mizore mediat, studiot televizive.

Unë u them këtyre zotërinjve se do t’u kundërvihem me forcën më të madhe gjersa ju shkelmoni interesin publik të shqiptarëve, gjersa ju nuk guxoni ta mbroni atë për arsye që i dini vetë dhe rreshtoheni në anën e qeverisë që kreu megakrimin elektoral më të madh në historinë e vendit. Që nuk shohin partinë e Doshit, që rriti me 310 për qind elektoratin, ndërkohë që Edi Rama është një blerës 10 herë më i madh se Doshi. Doshi është thjesht një çirak në blerje në krahasim me Ramën.

Them këtë sepse situata është dëshpëruese dhe nuk mund ta mohojmë, por njerëzit me fibër politike e kuptojnë se ka vetëm një rrugëdalje, të mos dorëzohen dhe të ngrihen.

Ka vetëm një rrugëdalje, të ngrihen dhe të mbrojnë kombin e tyre nga një proces shkatërrimi që nuk e ka pësuar asnjë komb tjetër në botë. E gjithë kjo me mekanizmin e shkatërrimit të opozitës, sepse duke shkatërruar opozitën, vret masivisht shpresën.

Ne do të qëndrojmë. Unë kam bindjen më të thellë se ne do të qëndrojmë.

Demokratët, në kushte shumë të vështira, kur kanë qenë shumë herë më pak se kaq, kanë ditur të mbrojnë opozitarizmin, kanë ditur të mbrojnë vlerat, të krijojnë shpresat dhe ne të vazhdojnë betejën.

Do të ngrihemi me një lëvizje të fuqishme kundër armikut më të egër të lirisë së shqiptarëve, që tashmë është i njohur, Edi Rama dhe qeveria e tij.

Kam besim se demokratët janë të gatshëm, se mbi 500 mijë idealistë që qëndruan të pamposhtur, do t’i japin kthesë vendimtare vendit”, deklaroi Berisha.

Read Previous

Pse duhen prova nga SPAK kur Rama vendos se kush arrestohet e kush jo?!

Read Next

Europa pa Twitter! Elon Musk drejt mbylljes së rrjetit social për kontinentin europian