Belind Këlliçi: Përgjigje Merit, për letrën e hapur!

E dashur Meri Lika!

E lexova letrën tënde të hapur, dhe më vjen mirë se, me gjithë gjërat për të cilat nuk jemi 100 përqind dakort, ajo që na bashkon është e qënësishme, është arsyeja pse jam në këtë fushatë. Thelbi është se qyteti kështu si gjendet sot, e si qeveriset, nuk i përgjigjet qytetarëve, kërkesave themelore. Nuk ofron atë çka mund të ishte si bazike, më tej është vetë njeriu që me punën, mundin, talentin, ecën përpara dhe drejton jetën e tij.

Prej letrës tende, dhe pyetjeve që aty ngre, mësoj se ke parë programin dhe zgjidhjet që unë ofroj, dhe kjo më gëzon shumë.
Janë njerëzit, qytetarët, vajzat dhe gratë, ata që përpiqen shumë të sigurojnë jetën e të krijojnë standarde për veten dhe familjet, burimi i platformës time.

Kjo është mendoj diferenca më e madhe që kam me kundërshtarin. Ai ka një skicë në mendje, një pikturë kullash dhe një projektim me ngjyra për elitën financiare të qytetit, shpesh me euro me origjinë të dyshimtë. Nuk ka ai bojën e përmasat e njeriut, e humanit, që udhëheq alternativën time dhe masat që parashikoj.

Pikërisht, që një grua, një profesioniste, apo një kryefamiljare, të ketë mundësi të punojë edhe më shumë, edhe më e qetë, edhe më e sigurtë për fëmijët e saj, do të bëj të mundur që së pari, asnjë zonë në Tiranë të mos jetë më pa një çerdhe, kopësht, apo shkollë. Dhe, do të investojmë shumë në cilësinë e tyre, e në mundësinë që të qendrojnë të hapura deri pasdite, kur prindërit të kenë mbaruar punën, pa nxitim e stres.

Bashkia sot nuk ofron zgjidhje për trafikun, dhe kjo është një pengesë e madhe për çdo njeri, e besoj edhe për ju që shpenzoni jo vetëm karburant, por edhe kohë e nerva teksa ngecni me minuta të tëra në një vend, e kjo disa herë në ditë.

Unë kam një projekt për këtë. Autobusi falas do të inkurajojë shumëkend të mos e marrë makinën, kjo do të ndikojë në lehtësimin e qarkulllimit, e do të sjellë edhe ajër më të pastër. Siç ju e përmendni me rastin e ekonomistes së re, që ndërron 3 autobusë në ditë, plani im do të kursejë për qindra mijë qytetarë, deri në 52 mijë lekë në muaj.

Një nënkalim të Sheshi Skenderbej, është llogaritur që shfryn me 60 përqind trafikun në një prej nyjeve kryesore të qytetit, e kjo valë valë, ndikon kudo.

Aplikacioni TI Tirana, do të të vijë në ndihmë, për të kuptuar se ku ka një vend të lirë parkimi, dhe semaforët inteligjente, do t’i përgjigjen gjendjes në atë moment të fluksit të lëvizjes, duke ndihmuar në lëvizshmëri.

500 oazet që kam në plan të ndërtoj në Tiranë, në çdo lagje, janë një mundësi e mirë që prindërit të argëtojnë fëmijët e tyre, dhe të moshuarit të kalojnë më shumë kohë jashtë, në ambjent të hapur, e të mos qendrojnë me orë të gjata brenda.

Ulja e tarifave dhe e taksave, do të ndikojë që profesionistët e gratë, të paguajnë më pak. Sot, për fat të keq, Bashkia merr shumë para nga qytetarët, e ofron shumë pak shërbime.

41 mln euro ka vjelur Erjon Veliaj nga taksa e veçantë për infrastrukturën arsimore, por rezultati është se 160 mijë banorë në Tiranë, 1/5, e popullsisë, janë pa asnjë çerdhe, shkollë, apo kopësht.

Tirana do të jetë miqësore, e kjo do të nisë nga ndalimi i fushatave ndëshkimore të policisë bashkiake që gjurmon të kapë qytetarët në shkelje, për të lënë mbi ta letrën e verdhë. Policia bashkiake do të kthehet në polici komunitare, do të jetë një kontribuese për sigurinë, për vajzat e gratë, e për fëmijët.

Ju jeni ekonomiste, dhe besoj se edhe për profesion, përpos ndjeshmërisë qytetare, do të jeni duke pyetur se ku do t’i gjej paratë. Ju e dini, se ato janë aty. I pakëson, dhe nuk i lejon të shkojnë në shërbime apo tek qytetarët, korrupsioni. Korrupsioni ka për të marrë goditje.

Jam i vetëdijshëm, që nuk është një luftë e lehtë për t’u fituar, por di se unë e kam vullnetin. Më së pari, do të ndaloj aferën e inceneratorëve, një gojë e madhe abuzimi që i merr Tiranës mbi 40 mijë euro në ditë. Më tej, me lehtësimin e barrës, do të bjerë informaliteti, e do të shtohen kontribuesit. Dhe, e sigurtë të jesh, se nuk do të ketë në bashki, drejtorë që kontrollojnë territorin ditën, e ndërtojnë vetë natën. S’do të ketë 5 shefa 5D, që gllabërojnë fondet e marrin lejet e ndërtimit.

E dashur Meri!

Jam i bindur se Tirana ku i gjithë qyteti, banoret e resurset e tij vihen në dispozicion të kryetarit, që ai të dalë mirë e të ecë përpara në karrierë, është një model që duhet ndalur. 8 vite janë shumë. Drejtimi ka gjithnjë të bëjë edhe me karakterin. Sot kemi efektin e narcizit bashkiak, që kërkon të mbulojë çdo gjë që nuk shkon, çdo mungesë e padrejtësi, me fasadë e propagandë të dhunshme.

Unë s’jam ky tip. Jam i vërtetë, i tillë do të jem deri në fund. Sepse besoj se e vërteta, angazhimi, dhe qendrimi me çdo çmim mbi besimin që ke marrë nga njerëzit, është themeli më i sigurtë dhe i qendrueshëm që të ecim përpara jo vetëm në politikë, por edhe si shoqëri.
Kur them se gjithçka është në duart e qytetarëve, që ata të vendosin vetë për qytetin, për mënyrën e qeverisjes, për drejtimin që do të marrë, kam sidomos parasysh që edhe pas 14 majit, njerëzit ta mbajnë Tiranën në duar. Sepse do të kenë mundësi të shohin, të kontrollojnë, të thonë fjalën e tyre, të kontestojnë, të kundërshtojnë, e të dëgjohen. Nuk do të marr vendime kundër tyre, asnjë të vetëm.

Ndaj është rasti për të bërë më shumë se sa zgjedhjen e një kryebashkiaku, me 14 maj.

Eshtë momenti për të përmbysur një kohë, për të sjellë në krye të qytetit një model të ri.

Read Previous

Aksident i trefishtë në Rrugën e Kombit

Read Next

Meta takim me banorët e njësisë 10: Kryefjala jonë është ndryshimi