Basha mesazh pas humbjes së të atit

Me disa fjalë prekëse, kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar për herë të parë pas ndarjes nga jeta të babait të tij Xhelal Basha, të cilit i është dhënë sot lamtumira e fundit. Basha shprehet se largimi i tij i ka hidhëruar të gjithë në familje, por thekson se i ati është larguar në paqe, i rrethuar nga dashuria dhe përkujdesi i njerëzve të tij të dashur.

Kreu i PD falenderon miqtë, dashamirësit si dhe mjekët dhe infermierët që u kujdesën për të atij përgjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë. Xhelal Basha ndërroi jetë në moshën 85-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.

“Sot i dhamë lamtumirën babait tim Xhelalit i cili u nda nga kjo jetë pas një beteje të gjatë, duke na hidhëruar dhe ligështuar mamanë time Remzijen, mua dhe vëllain tim Erlindin, Aurelën, vajzat, familjarët dhe miqtë e shumtë të tij dhe familjes. Ai u largua në paqe i rrethuar nga dashuria dhe përkujdesi i njerëzve të tij të dashur.

Në këto momente dhimbje të rëndë për familjen tonë, falenderojmë me mirënjohjen më të thellë të gjithë miqtë dhe dashamirët që na u gjendën dhe na lehtësuan, me praninë, mendimet, mesazhet, lutjet dhe mbështetjen e tyre. Falenderojmë mjekët, infermierët dhe të gjithë personelin shëndetësor për përkujdesjen e tyre të dhembshur për babain gjatë gjithë kësaj periudhe.

Për familjen tonë kjo është një humbje e madhe. Por po kaq i madh është ngushëllimi që Zoti e mori me qetësinë dhe dinjitetin që i fali në çdo çast të jetës së tij, si dhe lutjet tona që shpirti ti prehet në paqe!”, shkruan ai.

Read Previous

Drone turke në lindje të Ukrainës

Read Next

Gazmend Leka: Kritikë nuk ka dhe mirë është që nuk ka!