Barometri Kombëtar i Lirisë së Medias : Përkeqësim i lirisë së shprehjes / Pasiguri në punë / Censurë dhe autocensurë

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ditën e sotme nxorri rezultatet e “Barometrit Kombëtar të Lirisë së Medias në Shqipëri për vitin 2020”.
Një sondazh i realizuar nga gazetarët për gazetarët, për situatën e kushteve të tyre të punës, lirisë profesionale dhe perceptimet e tyre mbi lirinë e medias në tërësi.
Të dhënat e Barometrit konfirmojnë gjendjen e përkeqësuar të lirisë së shprehjes gjatë vitit që lamë pas. Përpjekjet për të imponuar paketën e ashtuquajtur anti-shpifje, lajmet e gatshme nga forcat politike dhe ngjarje konkrete si: protesta dhe prishja e teatrit kombëtar dhe pandemia përmenden veçanërisht në përgjigje si shenja të përkeqësimit të lirisë.
Si problematika kryesore theksohen: pasiguria në punë, mungesa e stabilitetit ekonomik në tregun e punës, mungesa e formalizimit të marrëdhënies së punës apo asaj të ofrimit të shërbimit nëpërmjet kontratave sipas kuadrit ligjor në fuqi, një mjedis të pasigurtë me kërcënime dhe ngacmime, censurë dhe autocensurë.
Vetë punonjësit e medias kanë identifikuar si censorë të lirisë së medias pushtetin qendror dhe vendor si dhe partitë politike, pronarët e mediave, përfaqësues të organeve ligjzbatuese dhe  persona të identifikuar si të implikuar në vepra të ndryshme penale apo “të fortët e zonës”.
– 30.2% e të anketuarve pohuan se nuk kanë një kontratë të rregullt pune
– 31% e të anketuarve deklarojnë se nuk e marrin të plotë pagën në bankë
– vetëm 16.5% e të anketuarve gëzojnë pushime të plota vjetore sipas Kodit të Punës
– 7.5% e të anketuarve deklaruan se ishin ngacmuar seksualisht në vendin e punës
– 98.5% e të anketuarve janë pro ngritjes së një sindikate për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
– Mbi 88 % e punonjësve të medias raportuan nivele të larta stresi për shkak të punës
– 49.5% e të anketuarve pohuan se ishin censuruar gjatë punës së tyre
– 8% e të pyeturve pranojnë se u ishte kërkuar të publikonin lajme të rreme
– 66.5% e të anketuarve mendojnë se media në Shqipëri është pak ose aspak e lirë
– Rreth 90% e të anketuarve pohuan se ndërhyrjet e qeverisë apo partive politike konsiderohen si faktori kryesor që cenon lirinë e medias, ndjekur nga interesat e bizneseve të drejtuara nga pronarët e mediave (80%)

Read Previous

COVID-19 në vendin tonë / Tetë jetë të humbura dhe 594 raste të reja / Ministria apel për vaksinim

Read Next

Asosacioni, SHBA shton presionin ndaj Kosovës