Barazia Gjinore: Ku bëhet poterja dhe ku realisht është arritur ajo në botë?

Nëse i pyet njerëzit se, në cilat vende ka më shumë barazi gjinore në vendimmarrje, me siguri përgjigja do të jetë e shpejtë, SHBA dhe Europë.

Por jo, kjo do të ishte një përgjigje e gabuar.

Në këto vende, gruaja jo vetëm që ka filluar shumë vonë të marrë disa të drejta bazike, nga fundi i shek XIX, siç ishte e drejta e votës, por edhe në ditët e sotme është në kuota shumë të ulta përfaqësimi politik dhe në atë të biznesit.

Pavarësisht se mjetet e komunikimit dhe propaganda e larmishme ka bërë që shumica e njerëzve të krijojnë idenë se barazia gjinore në këto vende është ndër më të arrirat në glob.

Le t’i hedhim një sy të dhënave të Unionit Ndër Parlamentar që tregojnë se cilat janë vendet që kanë përqindjen më të lartë sa i përket pëfaqësimit të gruas në politikë dhe vendimmarrje.

Proporcionalisht, Ruanda ka më shumë gra në parlament se çdo vend tjetër i botës, sipas të dhënave të Unionit Ndër Parlamentar që tregojnë se dhoma e saj e poshtme ka 61.3% femra, që nga janari 2021.

Përparimi i saj mund të gjurmohet në gjenocidin e vendit në 1994, i cili la një shoqëri të shkatërruar dhe që ishte 60- 70% e grave të pashkolluara dhe të papërshtatshme për të mbajtur një punë jashtë shtëpisë.

Ngjarjet e tmerrshme e detyruan Ruandën të hapte vendin për gratë dhe të zbatonte një mori ndryshimesh gjithëpërfshirëse, njëra prej të cilave ishte një kuotë gjinore që detyronte gratë të mbanin 30% të vendeve politike, 30% tjetër e kanë fituar vetë.

Por, Ruanda nuk është vendi i vetëm me kuota të tilla gjinore.

Tunizia, Nepali dhe Kameruni janë gjithashtu vende që kanë përfaqësim të lartë të grave.

Megjithatë, vendin e dytë pas Ruandës e zë sërish një vend që për shumëkënd do të duket çudi, ajo është Kuba.

Kushtetuta e Kubës thotë: “shteti u garanton grave të njëjtat mundësi si burrave për të arritur pjesëmarrjen e plotë të gruas në zhvillimin e vendit”. Dhe kjo përkthehet qartë në dhomën e saj të poshtme, ku 54.5% e ligjvënësve janë femra.

Dhe “çudia” s’mbaron këtu, edhe vendi i tretë do t’ju habisë, ai gjendet në Lindjen e Mesme dhe është Emiratet e Bashkuara Arabe.

Qysh nga fillimi i vitit 2021, gjysma e Këshillit Kombëtar Federal të Emirateve të Bashkuara Arabe janë gra.

Në vendin e katërt është Nikaragua, me 48.4% gra.

Në vendin e pestë ndodhet Zelanda e Re me 48.3%.

Në vendin e gjashtë Meksika me 48.2%.

Dhe vetëm në vendin e shtatë renditet njëri prej vendeve të quajtura si demokracitë më të mira liberale në botë, ajo është Suedia.

Pra siç shihet, në 10 vendet e para nuk gjendet SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia, Spanja, Holanda, Danimarka…e shumë vende të tjera europiane.

Shtetet e Bashkuara kanë punë serioze në këtë drejtim, për të përputhur përparimin e zhurmës me shifrat konkrete. Ato renditen në vendin e 67 -të.

Pra, perceptimi në shumë raste është krejtësisht diçka tjetër nga realiteti.

/Përgatiti – kumtari.al/

 

Read Previous

Meta dekoron Kryqin e Kuq Shqiptar në 100-vjetorin e themelimit.

Read Next

Trump padit Twitter/Kërkon rikthim të llogarisë