Babloku i Surrelit

Nga Kumtari

Sot doli si ngahera Ai madje dy herë, njëherë para shkallëve të Olimpit të Tij dhe herën e dytë në Foltoren e Parlamentit, largqoftë jo në atë Foltoren tjetër.

Foli Ai që si pakkush nga gjindja ku bën pjesë mund të ketë kaq shumë epitete që rrokin të gjithë hapësirat ku ai na shpërfaqet përditë.

I venë në dukje fizikun kur i thonë ai i gjati, gjigandi, ndërkohë që ata të vetët i venë në dukje vetitë mbinjerëzore të tij, teksa e krahasojnë me Skënderbeun apo Zeusin, kurse ata që nuk e duan shohin tek ai anën estetike duke e quajtur shallvarexhi apo çorapekuq që na turpëron teksa shkon në takimet zyrtare me atlete të bardha, apo kollare që kanë të gjitha ngjyrat e ylberit, e për të përfunduar tek vlerësimi i anës së mirë dhe të butë të karakterit të tij që e bëjnë kryesisht ata që përlajnë paratë publike me firmën e tij teksa i thonë Bablok.

Në këtë mjedis kontravers ai bën gjithçka në çdo moment të na mbushë ditën, të na mbushë mendjen, për të bërë që ne të besojmë se po na mbush edhe dollapin e bukës. Me çfarë nuk u mor sot Njëshi përsa i përket temave që rroku dhe elaboroi tek shkallët apo tek foltorja pavarësisht se vinte disi i lodhur pas “suksesit” që arriti për të bindur krushqit europianë për të na dhënë dorën e vajzës së tyre.

Na foli sot për amnistinë fiskale dhe tha se do e miratojë pavarësisht se për këtë ka shumë kundërshtarë si përtej oqeanit ashtu edhe këtej nga kontinenti ynë. Na foli dhe për dështimin e sigurisë së aplikimit digjital për të cilën krenohej gjithë kohën dhe sipas tij faji është i disa të ashtuquajturve rouge state që na e paskan hakeruar e për pasojë bllokuar sistemin që përmban shumë të dhëna madje tejet sensitive, por pa na ofruar ndonjë shpjegim sesi dhe përse.

Se për çfarë kemi paguar afërsisht 200 milionë euro nga taksat tona për këtë aplikim ne taksapaguesit pa fjalë, nuk do të marrim ndonjëherë vesh se helbete punë informacionesh sensitive që vetëm elita i kupton dhe i zgjidh.

Harta e re gjyqësore do miratohet insistoi ai dhe ministri i tij i njohur më shumë si personazh i dosjes 184. As edhe një argument nga dyshja olimpiane nuk u dha për të qetësuar e shpjeguar sesi do të veprohej për të shmangur kalvarin e gjatë të shtetasve shqiptarë që do t’u duhet të udhëtojnë disa dhjetra herë nga një qytet në tjetrin për të qenë të pranishëm në seancat gjyqësore.

Madje sot nga Foltorja e parlamentit Njëshi rilindas për herë të parë i eksituar nga duartrokitjet dhe buzëqeshjet e trushplarëve deputetë të listës së tij, kaloi në delir teksa retorikës së tij të zakonshme parlamentare i shtoi edhe elemente me përmbajtje erotike por që në thelb tregojnë gjëndjen bipolare të përdoruesit të terminologjisë.

Dhe për t’i vënë kapakun ditës olimpo-parlamentare nuk kishte sesi të mos bënte pak rolin e liderit rajonal e të patriotit teksa shpalosi gjithë eposin e dashurisë për Kosovën dhe drejtuesit e saj politikë të së shkuarës se me këtë të tashmin nuk është se i ka punët aq mirë. Në fakt mirë bën që flet për Kosovën, për UCK apo Thaçin e Adem Jasharin por do të kishte qenë më mirë sikur të fliste edhe për Ballkanin e hapur.

Do të ishte mirë të tregonte në Parlament nëse i ka kërkuar sivllaut të tij Aleksandër të Serbisë dhe jo atij të Maqedonisë (treshes së Open Balkans), pavarësisht se i pari është i gjatë dhe i dyti thonë që ka qenë i shkurtër, por ama kanë një të përbashkët se ai i shkurtri nënën e ka pasur shqiptare ndërsa ky i gjati të atin.

Pra nëse e ka pyetur ndonjëherë këtë Aleksandrin e gjatë se vërtet duam ta kemi Kosovën në këtë Ballkanin tonë, por a ka ndërmend ta njohë se përndryshe përse i bëjnë ftesë kur nuk e njohin? E nëse do ta kishte bërë këtë do të kishte pasur të drejtën të ligjëronte sot në parlament për gjysmën tjetër të kombit. Sepse në fund fundit kaq do të kërkonin shqipfolësit e dy shteteve përpara se dikush të na mbajë ligjërata patriotike në parlament.

Kjo ishte dita e punës e kryeqeveritarit tonë për sot.

Foli për shumë gjëra por edhe sot si gjatë gjithë këtyre viteve vazhdoi me melodinë e njohur. “Ai po bën gjithcka mirë, opozita është inekzistente, drejtësia e re duhet ta dëgjojë atë dhe akuzat që ai ngre, kanabisi, amnistia fiskale janë “kërkesa të mbështetura në të ashtuquajturat dëgjesa publike” dhe prandaj do miratohen, e të tjera “histori suksesi” që kemi vite që i dëgjojmë.

Më pas i shoqëruar nga eskorta i hipi makinës dhe u drejtua për në Surrel.

©kumtari.al

 

Read Previous

Ambasada gjermane: Shqipëria të luftojë pandëshkueshmërinë, krimin e korrupsionin!

Read Next

Biden infektohet me COVID-19