Autobusi në Lanë dhe hijet e një monopoli në Tiranë

Menjëherë pasi autobusi i elektrik i sapopromovuar nga kryetari i Bashkisë ra në Lanë, Erion Veliaj shkoi me urgjencë në vendin e ngjarjes. Fatmirësisht, nga aksidenti nuk pati asnjë viktimë, por duke marrë një rol që nuk i takonte, Lali nxitoi t’u tregonte gazetarëve se asnjëri nga dy drejtuesit e mjeteve të aksidentuara nuk kishin konsumuar alkool.

Aksidentet rrugore mund të ndodhin në çdo moment, përfshirë edhe në linjat që administrohen nga institucionet publike. Përtej rrethanave, kjo zor se do të hidhte ndonjë përgjegjësi mbi bashkinë. Por meraku ishte diku tjetër.

Në shtator të vitit të kaluar, Bashkia e Tiranës në mënyrë të beftë i hoqi liçencën kompanisë që kryentë shërbimin e transportit urban ne Unazë. Në atë kohë shumëkush u befasua, por Erion Veliaj tha se Bashkia kishte vendosur të ndërhynte pas ankesave të qytetarëve për shërbimin mizerabël.

Dy muaj pas këtij veprimi ndodhi një transaksion i çuditshëm. Kompania CFO Farma, e cila tregton ilaçe dhe nuk kishte patur ndonjëherë lidhje me shërbimin e transportit publik, bleu një linjë urbane të Kasharit për rreth 2.1 milionë euro. Pse një kompani që ishte marrë gjithë jetën me tregtimin e ilaçeve kishte vendosur të hynte në fushën e transportit? Përgjigja nuk vonoi shumë.

Një javë më parë, Erion Veliaj dhe Belinda Balluku u shfaqën me disa ekspertë gjermanë për të promovuar autobusët elektrikë në linjat urbane të Tiranës. “Në Tiranë ka filluar zyrtarisht epoka e autobusëve elektrikë,” tha Veliaj, ndërkohë që pak metra larg tij kamerat fiksuan biznesmenin Nadir Çausholli, pronarin e autobusëve elektrikë, që po merr linjën e transportit të Unazës.

Pra në shtator, bashkia i heq liçencën linjës së Unazës. Në dhjetor, një kompani ilaçesh blen një linjë urbane në Kashar. Tre muaj e njëjta kompani merr monopolin e shërbimit të transportit në Unazë dhe autobusët e saj promovohen nga kryetari i Bashkisë si inovacion. Shumë rastësi bashkë.

A ishte ky meraku se pse Veliaj nxitoi që t’i shpallte të pafajshëm shoferët e përfshirë në aksident një ditë më parë? Ndoshta. Ndoshta edhe jo. Por dikush do të duhet që të verifikojë se si një kompani farmaceutike, pa asnjë eksperiencë në fushën e transportit, po shtie në dorë linjën e unazës. Përfshirë garën formale që do të bëhet së shpejti, në mos është bërë sakaq.

Zërat janë se kompania e Go Green-ve do të shtrihet edhe në disa linja të tjera përveç Kasharit dhe Unazës. Autobusi që ra në Lanë një ditë më parë ishte sinjali paralajmërues i një monopoli absolut që po i kanoset shërbimit të transportit urban në Tiranë. Detyra e autoriteteve përkatëse është të verifikojnë se si po ngjizet ky monopol dhe sa po respektohet ligji./Klodian Tomorri / MCN

Read Previous

Berisha-Vuçiçit: Në çdo përpjekje për destabilizimin e Kosovës do të përballesh me Shqipërinë

Read Next

Mino Raiola. Agjenti më i famshëm në botën e futbollit, nuk jeton më