Armët e reja kineze zbarkojnë në Serbi

Natën mes 8 dhe 9 prillit, avionët transportues të forcave ajrore kineze fluturuan mbi Serbi.

Ndonjë njoftim nga Beogradi zyrtar nuk ka ende, por publiku mori informacione shtesë nga Pekini, më 11 prill.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian, tha në një konferencë për media se Kina “ka dërguar së voni furnizime të rregullta ushtarake” në Serbi.

Ai tha se dërgesa ka qëllim “zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Kinës dhe Serbisë”.

Lijan nuk dha shumë detaje, por theksoi se projekti nuk synon asnjë palë të tretë.

“Është një projekt në kuadër të planit tonë vjetor të bashkëpunimit. Shpresojmë që mediat përkatëse të mos e interpretojnë shumë. Ky projekt nuk synon asnjë palë të tretë dhe nuk ka lidhje me situatën aktuale”, tha ai.

Agjencia e lajmeve AP, në një tekst ku operacioni i transportit u cilësua si sekret, tha se avionët që vazhduan të ulen në Beograd gjatë fundjavës, dërguan atje pjesë të sistemit raketor kundërajror të Kinës, FK-3.

Dorëzimi i armëve kineze, për të cilat Serbia ra dakord me Kinën në vitin 2019, ndodh në mes të luftës në Ukrainë.

Sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vendi i tij po përballet me “presion të madh” për t’u harmonizuar me sanksionet evropiane kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Perëndimi, më herët, ka shprehur shqetësimin se armatosja e mëtejshme e vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjatë luftës në Ukrainë, mund të rrezikojë paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Në të njëjtën kohë, Brukseli dhe Uashingtoni kanë shprehur shqetësimin për blerjen e armëve në Serbi nga Rusia dhe Kina, sepse Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pritet ta harmonizojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me bllokun evropian.

Për shkak të blerjes së sistemit kinez të mbrojtjes ajrore, paralajmërimet nga SHBA-ja janë bërë qysh në vitin 2020.

Në atë kohë, zyrtarët amerikanë kanë thënë se nëse Serbia dëshiron vërtet t’i bashkohet BE-së dhe aleancave të tjera perëndimore, ajo duhet t’i ketë pajisjet e saj ushtarake në përputhje me standardet perëndimore.

Serbia, përndryshe, do të jetë operatori i parë i raketave kineze në Evropë. Rasti i njëjtë ka qenë edhe me dronët luftarakë kinezë CH-92A, të cilët i janë prezantuar publikut serb në korrik të vitit 2020.

Konfirmimi i Kinës si partnere kryesore e Serbisë nga lindja

Edhe pse për furnizimin me FK-3 është rënë dakord më herët, është e rëndësishme të vëzhgohet koha e dorëzimit, thotë për Radion Evropa e Lirë Vuk Vuksanoviq, studiues në Qendrën për Politikat e Sigurisë në Beograd.

Ai e sheh këtë kohë si pjesë integrale të lojës së Vuçiqit “për të fituar më shumë hapësirë për manovrim dhe një pozicion më të mirë negociues kundrejt Perëndimit”.

“Në njëfarë mënyre është edhe tregues dhe konfirmim se Serbia – tani që të gjithë sytë janë të drejtuar kah Rusia dhe ajo ka shumë gjasa të detyrohet t’i zvogëlojë ndjeshëm lidhjet e saj me Moskën – ka Kinën partnere kryesor në lindje”, thotë Vuksanoviq.

I pyetur nëse pret dhe çfarë reagimesh pret nga Perëndimi, Vuksanoviq thotë se reagime zyrtare nuk ka, por shton se dërgesa e Kinës nuk ka kaluar pa u vënë re.

Sipas tij, përmirësimi i bashkëpunimit me Kinën do ta përcjellë Serbinë në afat të gjatë./REL

Read Previous

Ndërpritet subvencioni i pandemisë për transportin urban; Shoqata: Shërbimi në Tiranë do përkeqësohet

Read Next

Edi Paloka për Alibeajn: Po i shërben axhendës Rama-Basha/ Të shkarkohet sa më shpejt