AP: Koka rrezikon deri në 12 vite burg nëse dënohet.

Lajmi për arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka po bën xhiron e mediave të huaja. Agjencia Associated Press shkruan se ai akuzohet për një ryshfet prej 4.1 milion dollarësh.

Sipas AP, Koka rrezikon deri në 12 vite burg nëse dënohet.

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka u arrestua të martën me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të hetimeve për koncesionin kontrovers të incineratorit të Elbasanit. SPAK kërkoi gjithashtu arrestimin e shtetases Stela Gugallja, e cila është pronarja e kompanisë Albtek Energy si dhe Klodian Zotos, pronar i kompanisë Integrated Technology Services, por këta dy të fundit u shpallën në kërkim pasi policia nuk arriti të gjejë vendndodhjen e tyre. Mbi të dyshuarit rëndojnë akuzat e korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe të pastrimit të parave.
Sipas SPAK, Koka ka lejuar përfitime të padrejta nga ana e pronarëve të kontratës së koncesionit, e cila u lidh përmes procedurës së negocimit të drejtpërdrejtë pa shpallje nën justifikimin e gjendjes së jashtëzakonshme ndërsa Klodjan Zoto dhe Stela Gugallja akuzohen se kanë kryer transaksione të rreme me paratë e marra nga buxheti i shtetit për llogari të kontratës koncesionare.
Sipas SPAK, koncesioni është dhënë në kundërshtim me ligjin ndërsa Albtek dhe Integrated Technology Services kanë bërë pagesa për kompani të cilat dukshëm nuk kanë kryer punimet për të cilat janë paguar.

Read Previous

SHBA kalon 800,000 vdekje nga Covid – më e larta në botë

Read Next

Basha përkujton liberalizimin e vizave