Analiza/ Një emër tjetër për Asociacionin

Kushti i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të mos jetë njëetnik dhe ta ndryshojë emrin, në mënyrë që të merret në konsideratë formimi eventual i tij, paraqet ide për ndryshimin e Marrëveshjes së Brukselit, vlerësojnë njohësit e proceseve politike, Agon Maliqi dhe Miodrag Milliqeviç.

Me këtë marrëveshje – që Kosova dhe Serbia kanë arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve – është paraparë edhe formimi i Asociacionit, por nuk është zbatuar kurrë.

Kosova refuzon ta themelojë atë, duke thënë se “asociacioni njëetnik” është në kundërshtim me Kushtetutën e saj dhe mund të çojë në ndarjen e vendit.Me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, Kurti, në fillim të shkurtit, ka dalë me gjashtë kushte për formimin e Asociacionit – mes tjerash: të mos jetë njëetnik, ta ndryshojë emrin dhe të mos ketë pushtet ekzekutiv.

Analistët nuk e përjashtojnë mundësinë që kërkesa e Kurtit për ndryshimin e emrit të shtrohet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, më 27 shkurt, për kur edhe është planifikuar një takim i Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kurti, megjithatë, ka thënë se diskutimet atë ditë pritet të bëhen rreth propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Zyrës së Kurtit për më shumë sqarime rreth kërkesës për ndryshimin e emrit të Asociacionit, por nuk mori përgjigje.

Përfaqësuesit e partive politike opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, thonë se nuk kanë marrë asnjë sqarim nga Kurti për këtë ide.

“Ide joprecize”

Njohësi i proceseve politike në Kosovë, Agon Maliqi, thotë se partnerët ndërkombëtarë, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kanë ofruar Kosovës mundësi që t’i japë formë Asociacionit ashtu siç dëshiron, në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Megjithatë, thotë ai, mbetet të shihet nëse kushtet e Kurtit do të shndërrohen në dokument konkret në bisedimet në Bruksel, apo do të mbeten në formën e “parimeve abstrakte”.

“Kryeministri Kurti akoma është në nivelin e parimeve, ndërkohë që ndërmjetësuesit [ndërkombëtarë] presin dokument që është në formën e statutit [për Asociacionin], ku gjithsesi mund të përfshihen edhe kushtet që i ka parashtruar. Thjesht, kërkohet të shihet një lloj gatishmërie nga Kosova, që të paktën ta fillojë procesin e diskutimit për statutin. Unë nuk mendoj që do të mirëpritet diskutimi thjesht në nivel parimor… Mendoj se pritet një dokument konkret. Në këtë kuptim, mendoj se, ndoshta, nuk do të ketë shumë mirëkuptim për kërkesën [e Kurtit për emrin], sepse nuk është precize dhe nuk është konkrete… në kuptimin që nuk zbret nga parimet në një dokument konkret”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

Milliqeviq: Asociacioni njëetnik, i pamundur

Miodrag Milliqeviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare, Aktiv, nga Mitrovica e Veriut, thotë se Kurti po përpiqet që përmes idesë së tij për emrin, ta bindë opinionin se nuk do të lejojë një asociacion njëetnik.

“Por, në fakt, diçka e tillë në Kosovë nuk është e mundshme, për shkak se pjesa më e madhe e komunave që do të duhej ta përbënin Asociacionin e komunave me shumicë serbe në të ardhmen, janë shumetnike. Në këtë pikë, përveç çështjes së komunitetit serb, është e hapur edhe çështja e funksionimit të komunitetit shqiptar përbrenda atyre komunave, gjegjësisht e funksionimit të komuniteteve tjera pakicë apo joshumicë në ato komuna”, thotë Milliqeviq.

“Lojë fjalësh” dhe “ngatërrim hapash”

Përfaqësues të partive opozitare në Kosovë thonë se nuk kanë marrë ndonjë sqarim lidhur me idenë e kryeministrit Kurti për ndryshimin e emrit të Asociacionit.

“Nuk ka nevojë të bëjë lojë fjalësh”, thotë Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Asociacioni dhe kompetencat e Asociacionit nuk definohen nga emri që bart, por nga fuqia që do ta ketë. Në këtë pikë, PDK-ja është konsistente. Asociacioni duhet të bëhet vetëm mbi bazën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese [të Kosovës]”, thotë Çitaku për Radion Evropa e Lirë.

Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se marrëveshja për parimet e Asociacionit, e arritur po atë vit, nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës, por ka shtuar se të 23 pikat, që janë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, mund të harmonizohen.

Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se Kurti nuk e ka sqaruar idenë e tij për ndërrimin e emrit të Asociacionit, por shton se vetë ideja nënkupton rihapjen e negociatave për një marrëveshje tashmë të arritur dhe të ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Haziri thotë se ideja e Kurtit vjen pasi ai e ka pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo, sipas tij, paraqet ngatërrim hapash.

“Një hap përpara është bërë në kohën kur ai e ka pranuar dokumentin bazë për një marrëveshje eventuale me Serbinë. Ndërsa, qëndrimi i tij që në marrëveshjen specifike të vendosen gjashtë kushte për të rihapur eventualisht negociatat [për formimin e Asociacionit], është një hap prapa, sepse kushtëzimi i negociatave është i papranueshëm për ndërmjetësin ndërkombëtar”, thotë Haziri.

“Deriçka” e hapur për Kurtin

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i kanë kërkuar disa herë Kosovës që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në një shkrim në fund të janarit, të shpërndarë nga disa media në Kosovë, ata kanë thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ishte njëetnik. “Ato do të ishin komuna me shumicë serbe ku jetojnë jo vetëm serbët etnikë, por edhe grupet tjera – shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë – të drejtat e të cilëve gjithashtu duhet të sigurohen dhe mbrohen”, kanë thënë dy diplomatët.

Maliqi vlerëson se, bazuar në këtë letër, kryeministrit Kurti i është hapur dera dhe mundësia për të formuar një asociacion që do të ishte i pranueshëm për Kosovën.

“Kryeministri [Kurti] e ka kthyer më shumë këtë çështje në një debat semantik të emrit dhe përdorimit të fjalës ‘serb’ aty. Nuk e di se si do të zgjidhet kjo pjesë. Por, që është hapur një deriçkë, unë mendoj se kjo është shumë e vërtetë dhe është bërë shumë e qartë nga letra e botuar [e Cholletit dhe Escobarit], ku, faktikisht, kërkohet nga Kosova që të krijojë diçka që është krejtësisht në përputhje me Kushtetutën”, thotë Maliqi.

Milliqeviq pajtohet se kushtet e Kurtit për Asociacionin mund të jenë frymëzuar nga letra e Cholletit dhe Ecobarit dhe shton se ai, tashmë, po e shfrytëzon këtë si hapësirë manovruese, për t’u arsyetuar para opinionit të brendshëm.

“Gjithashtu, është fakt që do të përpiqet që me fjalë të zgjedhura, thjesht, t’ia komunikojë opinionit të Kosovës se principi i tillë është i pranueshëm dhe se ai do të harmonizohet me ligjet në fuqi dhe me Kushtetutën e Kosovës. Kjo është ajo që unë pres se do të ndodhë në Bruksel”, thotë Milliqeviq.

Takimi i Kurtit dhe Vuçiqit, më 27 shkurt në Bruksel, do të jetë i pari këtë vit.

Nga Bashkimi Evropian kanë thënë se temë e diskutimit do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim këtë propozim.

Përmbajtja e tij nuk është bërë publike, por nga një version që ka parë REL-i, del se ai nuk parasheh njohjen reciproke mes dy vendeve, por zotimin e të dyja palëve se nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese. Propozimi, po ashtu, kërkon që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet që kanë arritur deri më tash në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. SHBA-ja e ka mbështetur këtë dokument./ REL

Read Previous

Deputetët e PD-së ankimojnë përjashtimin nga seancat

Read Next

Byroja e Kuvendit rrëzon ankimin e deputetëve të PD