Ana e errët e neutralitetit

Nga Slavoj Žižek

“Project Syndicate

Para se të rizgjidhej rishtazi si president i Brazilit muajin e kaluar, Luiz Inácio Lula da Silva, deklaroi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, mbajnë përgjegjësi të barabartë për luftën në Ukrainë. Megjithatë, nëse refuzimi për të zgjedhur anë vjen nga Brazili, Afrika e Jugut ose India me pretendimin se janë “neutralë” ndaj luftës së agresionit të Rusisë, kjo është e paqëndrueshme.

E njëjta gjë vlen edhe për individët. Në rast se një kalimtar do të shihte një burrë duke rrahur pa mëshirë një fëmijë në një cep të rrugës, të gjithë do të prisnim që dëshmitari të përpiqej ta ndalonte atë. Në një rast të tillë nuk mund të flitet për neutralitet. Përkundrazi, ne do të denoncimin paturpësinë morale të mosveprimit.

Atëherë, si duhet t’i përgjigjemi deklaratave të fundit të Roger Waters në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara? Përmes një video-telefonate, aktivisti dhe bashkëthemeluesi i grupit të famshëm muzikor Pink Floyd, pretendoi se po fliste për “4 miliardë apo më shumë vëllezër dhe motra” në mbarë botën.

Ai e pranoi se lufta e Rusisë në Ukrainë është e paligjshme dhe duhet të dënohet “në termat më të ashpër të mundshëm”. Por më pas nxitoi të shtojë: “Pushtimi rus i Ukrainës nuk ishte i paprovokuar, prandaj unë dënoj edhe provokatorët në termat më të ashpër të mundshëm… Rruga e vetme e arsyeshme e veprimit sot është të bëjmë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë. Asnjë jetë ukrainase apo ruse nuk duhet humbur, as edhe një, që të gjitha jetët janë të çmuara në sytë tanë. Prandaj ka ardhur koha që pushtetit t’ia themi të vërtetën në sy”.

A është në fakt “e vërteta” e Waters një shprehje e neutralitetit? Në një intervistë dhënë në fillim të këtij muaji për gjermanen “Berliner Zeitung”, ai tha: “Ndoshta nuk duhet, por tani jam më i hapur për të dëgjuar se çfarë thotë Putin. Sipas zërave të pavarur që po dëgjoj, ai qeveris me kujdes, dhe merr vendime bazuar tek konsensusi në qeverinë ruse”.

Si një zë i pavarur që ndjek nga afër mediat ruse, unë e njoh shumë mirë atë që thotë Putin dhe propagandistët e tij. Kanalet kryesore televizive ruse janë plot me analistë që rekomandojnë goditjen më armë bërthamore të vendeve si Polonia, Gjermania ose Mbretëria e Bashkuar.

Ndërkohë komandanti çeçen Ramzan Kadyrov, një nga aleatët e ngushtë të Putinit, po bën tashmë thirrje të hapur që “lufta kundër Satanizmit të vazhdojë në të gjithë Evropën dhe, para së gjithash në territorin e Polonisë”. Në fakt, linja zyrtare e Kremlinit e përshkruan luftën si një “operacion special” për de-nazifikimin dhe demonizimin e Ukrainës.

Ndër “provokimet” e Ukrainës është se ajo ka lejuar Paradat e Krenarisë dhe të drejtat e LGBTQ+ të minojnë normat tradicionale seksuale dhe rolet gjinore. Analistët pranë Kremlinit flasin për një “totalitarizëm liberal”, duke shkuar madje aq larg sa të argumentojnë se libri “1984” i George Orwell ishte një kritikë jo ndaj fashizmit apo stalinizmit, por ndaj liberalizmit.

Nuk gjen asgjë të ngjashme në mediat perëndimore, ku motivi kryesor është që ne duhet të ndihmojmë Ukrainën të mbijetojë. Me sa di unë, askush nuk ka kërkuar ndryshimin e kufijve të Rusisë, apo sekuestrimin e një pjese të territorit të saj. Në rastin më të keq, kemi dëgjuar kërkesa kundërproduktive për ta bojkotuar kulturën ruse, a thua se regjimi i Putinitpërfaqëson njerëz si PushkinÇajkovski dhe Tolstoi.

Ashtu siç po mbështesim Ukrainën kundër një agresori, duhet të mbrojmë edhe kulturën ruse kundër abuzuesit të saj në Kremlin. Gjithashtu duhet të shmangim triumfalizmin, dhe ta përcaktojmë objektivin tonë në terma pozitivë. Synimi kryesor nuk është që Rusia të humbasë dhe të poshtërohet, por që Ukraina të mbijetojë.

Vendet “neutrale” jashtë Perëndimit pretendojnë se lufta është një konflikt lokal që nuk mund të krahasohet me tmerret e kolonializmit apo ngjarjet më të fundit si pushtimi i Irakut nga SHBA. Por kjo është një shmangie e dukshme nga e vërteta. Tek e fundit, lufta imperialiste e Rusisë është në vetvete një akt kolonializmi.

Ata që do të pretendonin neutralitetin, e humbin mundësinë e tyre t’u ankuar për tmerret e kolonizimit kudo që ato ndodhin. Waters është një eksponent i zëshëm i rezistencës palestineze kundër kolonizimit izraelit. E përse rezistenca e Ukrainës ndaj kolonizimit rus është më pak e denjë për të pasur mbështetje?

Ndonjëherë gjërat janë vërtet shumë të thjeshta, dhe sidomos tani që Rusia po përgatitet të festojë me një ofensivë të re përvjetorin e parë të luftës së saj në Ukrainë. Është e turpshme ta fajësosh Ukrainën për aktet shkatërruese të ushtrisë ruse, apo më keq akoma ta cilësosh si një refuzim të paqes rezistencën heroike të ukrainasve.

Ata që si Waters po bëjnë thirrje për “një armëpushim të menjëhershëm”, po i detyrojnë ukrainasit që të reagojnë ndaj sulmit të ri duke braktisur vetëmbrojtjen e tyre. Kjo është një formulë jo për paqe, por për nënshtrim ndaj pushtuesit.

Vlen të përmendet sërish se Rusia po shpreson në triumfin e argumentit të “neutralitetit”. Siç e shpjegon historiani ushtarak Michael Clarke “plani i Kremlinit do të jetë të vazhdojë të luftojë derisa Perëndimi të mërzitet dhe të ushtrojë presion ndaj Kievit që të kënaqet me territorin që ka arritur të çlirojë deri në atë moment”.

Rusia po përgatitet për një luftë të gjatë, që do të përfshijë mobilizimin e rreth 600.000 ushtarëve çdo vit për “një të ardhme të pacaktuar”. Waters ka pothuajse të drejtë: Ukraina po e “provokon” vërtetë Rusinë duke refuzuar t’i nënshtrohet ambicieve të saj perandorake, edhe përballë shanseve të pakta për t’ia dalë.

Në këtë pikë, e vetmja mënyrë që mund të ndalonte provokimin e fqinjit të saj agresiv revizionist, do të ishte të hidhte armët dhe të dorëzohej. E njëjta gjë, do të thoshte Waters, është e vërtetë për Palestinën. Por dorëzimi ndaj imperializmit nuk sjell as paqe as drejtësi. Për të ruajtur mundësinë e arritjes së njërës prej tyre, ne duhet të heqim dorë nga pretendimi i neutralitetit dhe të veprojmë në përputhje me rrethanat./bota.al

Read Previous

“I don’t have a dream”/ Kiko fjalim emocionues për kryeqytetet pa kulla

Read Next

Biden dyshues për planin e paqes të propozuar nga Kina