Ambasadat nxitojnë të mbyllin punët e tyre me votat e opozitës së Bashës, pranohet pranimi i emigrantëve me këmbënguljen e ambasadorit britanik.

Komisioni Parlamentar i Sigurisë kaloi të hënën me votë unanime projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për ripranimin e personave dhe protokollit zbatues të marrëveshjes”.

Deputetët e opozitës, të cilët e kundërshtuan fort këtë marrëveshje në mbledhjen e shkuar, u tërhoqën në qëndrimin e tyre pas një takimi me përfaqësues të ambasadës britanike në Tiranë. Takimin e bëri të ditur deputeti i Partisë Demokratike Ferdinand Xhaferri, i cili tha se skepticizmi i opozitës u sqarua.

“Sot për afro një orë e gjysëm deputetët e opozitës në Komisionin e Sigurisë dhe Komisionin e Ligjeve, patëm një takim me përfaqësues të ambasadës britanike, të cilët dhanë sqarime të plota dhe siguruan për të disatën herë gjatë bisedës se kjo marrëveshje nuk ka të bëjë me ripranimin e shtetasve të palëve të treta që nuk janë të etnisë shqiptare”- tha Xhaferri.

Ai shtoi se skepticizmi i tyre ndaj marrëveshjes ishte i justifikuar me sjelljen e qeverisë “Rama” me raportet ndërkombëtare. “Kemi një evidencë të krijuar nga qeveria gjatë gjithë këtyre viteve për trajtimin në mënyrë informale dhe në mungesë të transparencës të disa raporteve ndërkombëtare”- tha Xhaferri duke sjellë në vëmendje vendimin e qeverisë për pranimin e armëve kimike nga Siria.

Marrëveshja e miratuar parashikon ripranimin e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë në këto shtete dhe ripranimin e shtetasve që vijnë nga vende të tjera, por që kanë kaluar nëpër Shqipëri si dhe përdorimin e vendit tonë si vend tranzit për rikthimin e shtetasve të huaj në vendet e tyre të origjinës.

Pjesa e marrëveshjes që parashikon ripranimin e shtetasve që vijnë nga vende të treta nxiti dyshimet e opozitës për krijimin e “një depozite emigrantësh”, ndërkohë që disa media britanike shkruanin për krijimin e një kampi refugjatësh në Shqipëri.

Komisioni i Sigurisë shqyrtoi dhe miratoi me konsensus gjithashtu një tjetër marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar “mbi transferimin e personave të dënuar”, e firmosur në verë nga ministrat e drejtësisë të dy vendeve./reporter.al

Read Previous

Basha e akuzon Berishën me gjuhën e një socialisti fanatik- Berisha kërkon të rikthejë ‘97.

Read Next

6 persona humbin jetën nga COVID, situata për 24 orët e fundit