Alimehmeti: Varianti Delta në vendin tonë ka filluar rënien

Mjeku i njohur Ilir Alimehmeti, në një status në rrjetet sociale, është shprehur për një rënie të variantit Delta.

Sipas tij, rënia ka filluar që javën e kaluar si në rastet e reja, po ashtu dhe në rastet aktive. Megjithatë, thekson Alimehmeti, nevojitet edhe një javë për të pasur të dhëna më të sakta.

Statusi i plotë:

“Nuk mund të bjerë shi përgjithmonë”

Cit.: “Korbi”

Vala Delta po thyhet miqtë e mi!

Më 30 gusht 2021 kemi përllogaritur që piku i valës Delta në Shqipëri do të arrihej ndërmjet datave 5 dhe 15 shtator 2021!

Më 14 shtator pamë sinjalet e para të fillimit të rënies, me rënien për herë të parë të rasteve aktive (-147).

Megjithatë, tashmë e kemi mësuar që duhet të presim të paktën një javë dhe idealisht dy javë për të qenë më të bindur për trajektoren.

Sot, datë 23 shtator 2021, të gjithë indikatorët epidemiologjikë tregojnë qartë fillimin e rënies që javën e kaluar!

Në detaj:

Po bie mesatarja e rasteve të reja në bazë 7 ditore!

Po bie numri i rasteve aktive!

Po bie mesatarja e përqindjes së pozitivitetit të testimeve në bazë 7 ditore!

Po bie incidenca dyjavore e rasteve të reja për 100.000 banorë!

Kujdes tani miqtë e mi, sepse aksidente në mal ndodhin më shumë gjatë zbritjes se sa gjatë hipjes!

Duhen edhe disa javë përpara se të zbresim plotësisht.

Fatkeqësisht humbjet e jetës janë më të vonuara me 10-14 ditë në krahasim me rastet e reja dhe rënia e tyre do të fillojë në gjysmen e parë të tetorit, nëse rënia e rasteve është e vazhdueshme!

Deri atëherë këshillat janë të thjeshta nëse nuk jeni të imunizuar (as të shëruar dhe as të vaksinuar):

Vaksinohuni nëse nuk e keni të kundraindikuar!

Ruani distancën!

Evitoni grumbullimet!

Shtrëngojmë dhëmbët edhe pak por vala Delta ka filluar rënien e qartë!

Dr. Shk. Ilir Alimehmeti

Epidemiolog Klinik

Read Previous

Olaf Scholz: Social Demokrati që po konsolidon pozitat e tij si pasuesi i denjë i Merkel

Read Next

Plagosje me armë në Lushnjë/ Kapet autori

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *