“Aleanca Doshi-Rama-Basha vodhi përdhunshëm bashkitë”/ Berisha: Komisionerët morën nga 10 mijë euro

Në një bashkëbisedim me qytetarët përmes rrjeteve sociale, kryedemokrati Sali Berisha ka akuzuar edhe njëherë treshen Rama, Doshi, Basha për blerjen e votave në zgjedhjet lokale të 14 Majit, duke nënvizuar se bashkitë i janë rrëmbyer koalicionit opozitar përdhunshëm.

Duke iu referuar mbi 200 mijë votave që Partia Socialdemokrate e Tom Doshit ka marrë, kryesisht në mbi 6 bashki në Veri të vendit, me Shkodrën, Lezhën, Vaun e Dejës dhe Dibrën, që do të shohin tashmë këshillat bashkiak të kapur prej tij, Berisha tha se kemi të bëjmë me një përsëritje të rastit “Dushku”.

Sigurisht që blerësi kryesor i këtyre votave është Edi Rama dhe makineria e tij e narkoshtetit. Por kemi një fakt kësaj herë: “Dushkun Doshi”. Tek po vija këtu, një aktiviste më shkruan nga Peshkopia, se këtu në rrethin tonë, një parti pa seli, pa kryetar dhe pa anëtar, ka fituar 6 këshilltarë me faktin e vetëm se Doshi ka sjellë thasët me para dhe ka shpërnda thasët me para.

Ajo nuk e ka bërë këtë vetëm në Peshkopi. Në këto zgjedhje ai ka marrë mbi 200 mijë vota, pa mbajtur njëherë të vetme një fjalim, pa bërë një herë të vetme një takim, pa paraqitur kurrë në jetën e tij një program, përveç aleancës me Edi Ramën dhe Lulzim Bravën, i cili i dha me firmë të njerëzve të tij, komisionerët dhe numëruesin në një shumicë bashkish të vendit”, tha Berisha.

Sipas liderit opozitar zgjedhjet u blenë haptas me miliona euro që u investuan si asfalt elektoral dhe milionë të tjera që u shpërndan nën dorë, në funksion të makinerisë elektorale të Partisë Socialiste.

Berisha nënvizoi se për një votë janë paguar deri në 600 euro dhe komisionerët kanë marrë shpërblime deri në 10 mijë euro për të tjetërsuar rezultatin e kutive të votimit.

Analiza e deritanishme tregon në mënyrë të qartë si kristali se në një seri bashkish nga veriu në jug, koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ i janë marrë përdhunshëm mandatet. I janë marrë mandate me forcën e bandave nga veriu me përqendrim maksimal në Shkodër, Kurbin, Lezhë, Durrës, Elbasan, Sarandë, Vlorë, Korçë dhe një seri rrethesh të tjera. Zgjedhjet u blenë haptas sepse mbi 100 mln euro u shpërndarë për asfalte, zhavorre dhe rindërtime.

Pra, kemi të bëjmë me një fenomen që nuk ka ekzistuar. Rrogat dhe pensionet nuk janë rritur kurrë dhe nuk janë përdorur kurrë për fushatë elektorale.

Ndërkohë, shpërndarja nën dorë, makineria mafioze e blerjes së votës, duke dhënë nën dorë edhe gjer në 600 euro për votë, duke u ofruar komisionerëve 10 mijë euro, edhe 20 milionë lekë, ishte në proporcionet më të paimagjinueshme”, deklaroi ai.

Në fund Berisha nënvizoi se po realizohet nga PD një analizë e plotë e masakrës elektorale dhe në bazë të saj do të merren të gjitha vendimet e mëtejshme për aksionin opozitar.

Ne po bëjmë një analizë me përgjegjësi të plotë të dramës së këtyre zgjedhjeve. Unë kuptoj dhe mirëkuptoj plotësisht çdo kërkesë nga mbështetësit tanë dhe jo vetëm, që PD të bëjë një analizë transparente dhe i garantoj se PD do e bëjë. Ne po bëjmë një analizë shumë serioze në zotimin tonë se do të mbrojmë votën e shqiptarëve dhe në mënyrë absolute do marrim të gjithë vendimet se kjo dëshmon se këtu zgjedhje të vërteta përveçse farsë, nuk ka”, – tha Berisha.

Read Previous

120 mijë të ftuar në TV e Absurdistanit dhe vende të lira pune

Read Next

Kërkohet rinumërim votash në Kamëz, Tiranë e Dibër