Albin Kurti viziton sot Tiranën. Në fokus marrëveshja e Ohrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të vizitojë sot Tiranën. Gjatë kësaj vizite, Kurti së bashku me delegacionin që kryeson do të pritet në orën 11:00 në një takim nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj.

Më tej do të zhvillojë takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe me kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

Me këtë të fundit, Kurti pritet të takohet në Kuvendin e Shqipërisë, duke filluar nga ora 11:30.

Sipas informacioneve, në takimin Rama-Kurti, në fokus do të jetë marrëveshja e pafirmosur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë.

Po kështu Kurti do të pritet dhe nga kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta gjatë pasdites.

Në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët kanë rënë dakord të zbatojnë marrëveshjet e arritura mes tyre, si dhe Kosova të nisë përgatitjet për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, një nen që shihet si referencë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Një tjetër dakordësi është arritur edhe për personat e zhdukur gjatë luftës, ndërsa për monitorimin e të gjitha pikave të aneksit të marrëveshjes do të ngrihet një Komitet i Përbashkët Monitorues që do të kryesohet nga BE-ja.

Edhe pse nuk është firmosur një marrëveshje, palët pas 12 orësh bisedime në Ohër, kanë arritur marrëveshje për të zbatuar propozimin e BE për normalizimin e marrëdhënieve.

Read Previous

Lista e PS për zgjedhjet lokale, shumica e kryebashkiakëve të rikonfirmuar

Read Next

Sot përkujtohet masakra e Krushës së Madhe