Albanologu turk Süleyman Külçe iu kushtua fushës së albano-balkanologjisë

Süleyman KŰLÇE (1884 – 1955)

            Albanologu turk Süleyman Külçe (Kylçe) me origjinë nga krahina e Lumës, prej fisit Qylqe, i biri i Rushit Pushkatarit, lindi në Shkup. Mbasi kreu Akademinë Ushtarake të Stambollit u emërua oficer pranë Forcave Këmbësore të Rumelisë në Shqipërinë Veriore. Ushtroi edhe mësuesinë në Shkup e Izmir. Më pas ushtroi detyra administrative në disa krahina të Turqisë.

Iu kushtua që herët me veprimtari studimore fushës së albano-balkanologjisë si dhe krijimtari letrare, por filloi të botojë në moshën 60-vjeçare. Disa nga veprat e njohura të Külçe-s janë: Osmanli Tarihinde Arnavutluk [“Shqipëria në kohën e Turqisë”] (Izmir, 1944); Firzovik Toplantisi ve Mesrutiyet [“Kuvendi i Ferizajt dhe Kushtetuta Turke”] (Izmir, 1944). Të dy veprat janë shqipëruar. Koçibey Risalesi [“Libërza e Koçibeut”] (Izmir, 1949) përmban 21 letra-këshilla të Koçi beut, shqiptar nga  prejardhja, drejtuar Sulltan Muratit IV. Vepra është përkthyer në njëzet gjuhë. Mareşal Fevzi Çakmak in Hayati ve Eserleri [“Jetëshkrimi i Mareshal Fevzi Çakmakut”] në dy vëllime (1950), që i kushtohet oficerit madhor turk, mik i Mustafa Qemalit, trajton edhe ngjarje e probleme shqiptare të viteve 1900-1918.

Veprat e Külçe-s, duke qenë të mbështetura gjerësisht në dokumentacion origjinal, marrin rëndësi të veçantë për historiografinë albanologjike. (M. Gj.)/Portali Albanologjik

©Kumtar.al

Read Previous

Djali i shoferit të autobusit tregon emrin e udhëtarit që mungon

Read Next

Pritet përkeqësim i motit në orët e ardhshme