AktualitetNegociatat, zbardhet axhenda: Shqipëria do ta nisë me kapitullin e drejtësisë

Shqipëria do të mbajë nesër Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian. Delegacioni i vendit tonë, i cili kryesohet nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa pjesë e tij janë edhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, Kryenegociatori Zef Mazi etj., mbërriti pasditen e sotme në Bruksel.

Gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka, përcolli në një lidhje live me Mirela Milorin disa detaje të reja se çfarë pritet që të ndodhë ditën e nesërme. Ajo u shpreh se pjesë e delegacionit janë edhe zv/ministrat pasi çdo ministri ka një kapitull për të negociuar.

Zotka u shpreh se dita e nesërme do të nisë për kryeministrin Edi Rama që në orën 08:30 ku së bashku me Kovaçevskin do të takohen me Ursula Von Der Leyen. Pas kësaj, në orën 11:00 pritet që delegacioni shqiptar të ulet përballë atij të BE-së.

“Nesër është një ditë shumë e ngjeshur. Fillon në orën 08:30. Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i RMV-së, Kovaçevski, do të priten nga Presidentja Ursula von Der Leyen. Pastaj do të ketë një konferencë të shkurtër për mediat. Në orën 11:00 , delegacioni shqiptar do të ulet përballë delegacionit të BE-së, kryesuar Presidentja e KE-së, Von Der Leyen, Komisioneri për Zgjerimin, Varhelyi, nga ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, vend që ka Presidencën e Be-së. Kjo është Konferenca e Parë Ndërqeveritare Mirela që ne e kemi pritur prej vitit 2006 kur është nënshkruar MSA, kur shprehëm dëshirën për t’u bërë pjesë e BE. Më pas në 2014 morëm statusin dhe prej andej një proces zvarritje vit pas viti. Dhe në fund pasi u hoq pengesa e fundit, ajo me RMV që voto propozimin francez u hap rruga edhe për Shqipërinë që të ulet në këtë Konferencë Ndërqeveritare që është zyrtarisht edhe hapja e negociatave për t’u anëtarësuar në BE”, u shpreh gazetarja.

Sipas Zotkës, Shqipëria do ta fillojë me hapjen e kapitullit 23 dhe 24 që kanë të bëjnë përkatësisht me drejtësinë dhe çështjet ekonomike.

“Drejtësia është kapitulli i parë që do të diskutojmë me BE-në për të përputhur legjislacionin tonë me legjislacionin e BE-së”, u shpreh Zotka.

Pas mbledhjes pritet që të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp mes Ramës, eurokomisionerit Varhelyi dhe ministrit të Jashtëm çek. Kjo ditë do të mbyllet me një pritje që do të mbajë Shqipëria dhe RMV për këtë ditë të shënuar./ Tv Klan

Read Previous

Berisha: Le të kërkojë SPAK çdo akt timin që nga ‘91 e këtej

Read Next

BE mbështetje tjetër 500 milionë euro për Ukrainën