Aktivisti/ PD: Qindra prokurorë dhe gjyqtarë bëjnë propagandë për Ramën

Zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo ka reaguar pas denoncimit të aplikacionit ‘Aktivisti’ të kontrolluar nga Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama.

Në një deklaratë nga selia blu, Garo theksoi se në listën e abonentëve të ‘Aktivistit’, janë qindra prokurorë dhe gjyqtarë, të cilët bëjnë propagandë për Partinë Socialiste dhe qeverinë.

DEKLARATË E ZËDHËNSES SË PARTISË DEMOKRATIKE, FLORIANA GARO

Raportimet mediatike e përshkruajnë aplikacionin Aktivisti si një mjet terrori psikologjik kundër administratës. Nëpunësit publikë, nëse nuk u bëjnë like dhe share aktiviteteve të kryeministrit dhe ministrave kërcënohen me largim nga puna, dhe nëse janë aktivë shpërblehen me pikë, që shërbejnë si bonus për promocione dhe deri në shpërblime financiare “cash”, sipas raportimeve të besueshme.

Partia Demokratike është kundër çdo detyrimi dhe përdorimi të administratës publike për punë partie. Sidomos kur këto punë kanë të bëjnë jo me shtetin por me pushtetin, dhe me kultin e individit të kryeministrit dhe ministrave.

Thënë këtë ne i ndajmë nëpunësit publikë nga patronazhistët dhe jemi në krah të parëve dhe kundër banalitetit dhe shpërdorimit të të dytëve.

Ne e dimë se nëpunësit publikë janë të kërcënuar dhe të trysnuar dhe, le të gjejnë te Partia Demokratike, jo vetëm një forum publik ku mund të denoncojnë abuzimet, por edhe premtimin e saj se në të ardhmen, administrata nuk do dhe nuk mund të përdoret si kafshë barre e propagandës partiake.

Megjithatë, e reja dhe as shkelja në këtë aplikacion të kontrollit, censurës dhe abuzimit nuk janë punonjësit e administratës, por prokurorët dhe gjyqtarët e asaj që publikut i thuhet se është drejtësia e re.

Qindra prej tyre gjenden në listën e abonentëve të këtij aplikacioni. Qindra prej tyre në shkelje të detyrës, statusit dhe ligjit bëjnë propagandë për Partinë Socialiste dhe qeverinë.

Gjeni aty emra të njohur, që nga Ina Rama, ish-prokurorja dhe deri te Alfred Balla, i Këshillit të lartë të Prokurorisë, apo Irena Gjoka e Gjykatës së Posaçme. Gjykatësit dhe prokurorët nga rrethet janë të pafund. Kjo dëshmon edhe njëherë atë që është thënë nga kjo foltore qindra here: Reforma është bërë për partinë dhe jo Shqipërinë. Një vend të cilit gjyqtarët dhe prokurorët i shërbejnë si aktivistë partiakë është një republikë bananesh.

Kujt t’i bësh thirrje në këtë rast? Tradita e ka që t’i drejtohesh drejtësisë që të hapë një hetim. Por jemi në rastin kur problemi është me prokurorët dhe gjyqtarët. Janë ata që kanë shkelur ligjin dhe kodet etike duke e bërë veten subjekt të mundshëm të drejtësisë.

Kush i heton ata që duhet të hetojnë.

Kush e vendos drejtësinë, kur ata që duhet të vendosin drejtësinë janë promotorë të padrejtësisë?

Read Previous

Rozeta Dobi nxjerr fakte të tjera: Paratë janë të Alda Klosit

Read Next

Afera e Inceneratorit të Tiranës/ Të rinjtë e FRPD protestë përpara bashkisë me qese mbeturinash