Aksioni në Prestige Resort/ Lutfi Dervishi: Dallëndyshe Bici, mekanizëm që zbaton urdhëra

Gazetari dhe analisti Lufti Dervishi, në një lidhje live në News24, ka folur për atë që po ndodh prej tre ditësh tashmë në Prestige Resort.

Ai u shpreh se aksioni i IKMT për prishjen e dy pishinave, ka treguar imazhin e një vend të egër ku mund të rrezikohet jetë e turistëve apo fëmijëve me fadroma që ecin me shpejtësi sikur po bëjnë gara.
Pyetje: Ju kemi ndjekur edhe përmes postimeve tuaj, ju flisni për një tronditje të pushuesve, të turistëve nga e gjitha kjo që po ndodh me nota ironike thoni se kemi te bëjmë me një emergjencë ekstreme që lidhet me sigurinë kombëtare kjo që po ndodh nuk mund të shtyhej? Por gjithsesi do ta bisedojmë më gjatë këtë. Fillimisht një qëndrim i juaji?
– Ajo që nuk kuptohet është koha kur vepron INUK apo IKMT-ja, sepse mund të zgjidhje çdo kohë tjetër, por jo shtatori, ndoshta as muaji tetor. Mund të zgjidhej një kohë tjetër e përshtatshme. Nuk është e qartë se çfarë emegjence ka të ndërhyhet në resort, në momentin që kapacitetet pushuese janë 100% të ezauruara; nuk kuptohet çfarë emegjence ka që të punohet ditën e premte, të shtunën dhe të dielën, gjithashtu nuk kuptohet pse duhet të ndërhyhet vetëm në këtë pikë. Domethnë në gjithë bregdetin e Adriatikut nuk ka asnjë problem? Thënë këto nuk gjej asnjë veprim logjik. çfarë duhet bërë?

Nëse ka një shkelje të ligjit të adresohet ashtu si e kërkon ligji.

Unë pak para se të nisim këtë bisedë bashkë, i hodha një sy google earth për të parë situatën nga lart, nëpër vite. Deri në vitin 2013 ai ka qenë ish resorti Mak Albania dhe nuk ka patur asnjë ndërhyrje. Shoh që pas 2014 dhe 2015 janë bërë ndërhyrje për shkak të erozionit të shkaktuar nga deti, deti është afruar në pishinën e parë të madhe dhe janë bërë ndërhyrje për të fituar terren ndaj detit. Më rezulton që pishinat që janë prishur, njëra ka qenë e përfunduar, të paktën sipas google earth, njëra në vitin 2017 dhe tjetra në vitin 2019. Pra, janë pesë vite që pishinat ekzistojnë. Nëse jane bërë në kundërshtim me ligjin ato duhet të prishen, por sërish në përputhje me ligjin. Por nuk kuptohet nguti, ky nxitim në një situatë ku në një anë jane pushuesit duke ngrënë mëngjesin apo drekën dhe në anën tjetër fadromat duke punuar.. A nuk mundest që nëse këto pishina janë të paligjshme të urdhërohej i zoti që t’i zhbënte pishinat, t’i kthente në lulishte apo rërë, apo ku e di unë se çfarë? Pse të harxhohen taksat pubiike dhe të na kursehej ky lloj spektakli që përveç ndodnjë mesazh inat nuk më duket se ka të bëj me ligjin dhe rendin publik.

Pyetje: Ndërkohë zoti Dervishi përtej asaj që ndodh në Prestige Resort, përtej turistëve të cilët jane shprehur, por sigurisht askush nuk mund të qëndrojë indiferent nga e gjitha kjo. Sa solidaritet keni parë ju me gjithë këtë situate që po ndodh?

Nuk është se kam parë shumë solidaritet, të them të drejtën, sidomos nga pjesa e televizioneve. Disa portale kanë shkruar vetëm sa për të thënë që jemi prezent me lajmin, por kjo është një histori tjetër, dhe një debat tjetër.. Kjo ka të bëj me politikat editoriale të televizioneve. Nëse nuk ke parasysh dhe në qendër të vëmendjes interesin publik, do të vij një ditë që do të ndodhesh krejt vetëm. Sepse politikanët janë të përkohshëm. Interesat, siç po shihen, lëvizin me një shpejtësi të madhe dhe ajo çfarë quhet politikë editoriale, nuk është thjesht në qëndrimet pro apo kundër qeverisë, sepse politika editoriale është normale, por nuk duhen ngatërruar raportimet. Faktet janë të shenjta, ndërsa opinionet janë të lira…

Ndjesë që ju ndërpres ju e shihni këtë kryekëput, një goditje për politikën editoriale që kemi mbajtur?

Jo nuk po merrem me politikën editoriale të rastit, ajo çfarë po thoja është kjo që: te politika editoriale duhet ndarë ngjarja nga opinioni, dmth faktet dhe ngjarja që ndodh janë të shenjta dhe opinionet janë të lira.
Për fat të keq, në një pjesë të mirë të medias, opinionet po kthehen të shenjta dhe faktet të interpretueshme.

Pra nëse ti nuk raporton një ngjarje me interes publik sepse ky është intersi i qeverisë apo i opozitës, vjen një moment si ky dhe nuk e ke më në krah opinionin publik. E gjithë gjëja pastaj interpretohet si prishje pazari mes pronarit dhe qeverisë apo politikës. Dhe ky është mësimi. Në një shtet që presupozohet se ndërtohet mbi ligjin duhet të zbatohet ligji, rregulli dhe jo të mbizotërojnë tekat dhe miqësitë. Për mua janë disa pyetje të tjera: nëse kemi një ndërtim të paligjshëm me dy pishinat atëherë  ku kanë qenë inspektoriatet gjatë këtyre pesë viteve?! Pse ndodh që në ditët e para të shtatorit të bëhet një ndërhyrje brutale pa asnjë kuptim. Cili është mesazhi që dërgohet në këtë rast? është ky i vetmi që ka ndërtim në kundërshtim me ligjin apo përtej lejeve të dhëna? Nuk më duket se ky është rasti. Në Shqipëri janë ndërtuar qytete pa leje dhe të mobilizosh fadromat, në një ditë diele për të prishur dy pishina nuk më duket se i dërgohet mesazh publikut apo turistëve të huaj, mesazhi është për 10-15 veta që zotërojnë mediat.

Zoti Dervishi, një pyetje sepse ju keni patur në një ndër statuset tuaja…jeni marrë në formë ironike sigurisht edhe me emrin e Dallandyshe Bicit. Të shumta kanë qenë edhe komentet, disa ndoshta edhe e kanë keqkuptuar atë që  keni shkruar. Do të kemi rastin ta flasim dhe ta sqarojmë së bashkur, por unë fillimisht ju drejtoj një pyetje: pse mendoni se kryeministri ka vendosur në krye të IKMT-së, një njeri që ka dosje në prokurori, një njeri që kur ndërtohej Prestige Resort ka qenë në krye të institucioneve  dhe nuk ka reaguar?

Pyetja juaj e ka përgjigjen brenda. Kjo është më shumë pyetje për kryeministrin…..

Mos e bën këtë për të mbajtur në presion….

Ajo çfarë do të ishte situatë ideale është kjo:  nëse INUK është në kushtet e paligjshmërisë duhet kallëzim penal në Prokurori; nëse INUK, është në kushtet e ligjshmërisë është histori tjetër, por sërish kthehemi te pyetja: pse po vepron ma kaq vonesë? Ndaj më mirë ta shohim çështjen jo me emra personi por me përgjegjësi personale dhe institucionale. Nuk mundet që të kenë të drejtë të dy palët, në një përplasje ku futen fadromat. Se çfarë është kjo histori, koha do ta tregoj shumë mirë, megjithëse, besoj se gjithsecili e ka një përgjigje. Kjo vetmë me rregullin dhe ligjin nuk ka të bëj.

Por të shqetëson fakti se pse vihen në krye njerëz me dosje?  Në mendimin tuaj. Si e komentoni ju?

Nuk është thjesht çëshje e njerëzve me dosje. Ne kemi njerëz që kanë bërë gjëma edhe më të mëdha dhe jane ministra apo po bëjnë karrierë…

A po përdoren për të ushtruar presion?

…ka njerëz që duhet të ishin para drejtësisë dhe nuk janë. Mos e shihni si gjë të madhe drejtuesen e inspektoriatit, sepse nuk është ajo peshku i madh apo elefanti i madh në dhomë që nuk po flitet për të, është thjesht një mekanizëm që zbaton urdhërat apo shikon punën e saj që ajo mendon se e ka në përputhje me ligjin. Këtë gjë e ndan një prokurori apo gjykatë e mirë, që për fat të keq ne nuk i kemi ende.

Pse, në mendimin tuaj gjithmonë, pse kryeministri hesht dhe nuk ndërhyn në ndërtime të tjera të paligjshme që bien në sy në fakt, në sytë e gjithë publikut edhe në mes të Tiranës, për shkelje apo për kate shtesë? Pse?

Ky është nga ato rastet kur heshtja flet më shumë se çdo gjë tjetër.

E kuptoj. Gjithsesi lidhur me atë çfarë ka ndodhur këto tre ditë, ju e përmendët edhe në krye të kësaj lidhje të drejtpërdrejtë që  ka një imazh të shëmtuar. Vetë turistët, të cilët tmerrohen, gdhihen të tmerruar, janë në zhurmën e matrapikut për gjatë gjithë kohës, por një kryeministër që ka folur gjithmonë për sezonin turistik, madje ka shpërndarë foto në statuset e tij, me perlat e ti kudo e ngado. Sa nota i ulen Shqipërisë në imazh?

Shiko. Në mënyrë absolute, në një vend të qytetëruar fadroma është gjëja e fundit që shfaqet dhe jo e para. E theksova në fillim. Ka shumë mënyra për ta zgjidhur këtë situatë, po supozojmë se është krejt e paligjshme, por sërish janë të gjitha mënyrat për ta zgjidhur në mënyrë të civilzuar dhe pa bërë drama dhe pa shkaktuar trauma. Nuk e mendoja që kemi mbërritur në këtë pikë në Shqipëri, ku institucionet të nisin punë në orën 8 të mëngjesit, ditën e shtunë dhe të dielë. Nëse kjo ndodh me gjithë institucionet ja kemi kaluar vendeve nordike. Ishin të gjitha mundësitë që kjo situatë të zgjidhej pa i shkaktuar dëme, jo thjesht rezortit, apo biznesit në këtë rast, por mund të zgjidhej pa shkaktuar dëme imazhit të vendit, pa dërguar mesazhin që ky është një vend i egër, një vend i egër ku mund të rrezikohet jeta e fëmijëve dhe turistëve me fadroma që ecin me shpejtësi sikur po bëjnë gara në piste. Ky veprim shkakton një dëm që ti nuk e llogarit dot dhe ky është rasti i shkaktimit të një dëmi të pallogaritshëm. Ishin të gjitha mundësitë që kjo gjë të ndalohej para se të ndodhte, që kjo gjë të mbyllej  edhe pasi ka ndodhur. Pse të mos zgjidhej me gjobë?  Ke bërë një veprim të paligjshëm vendosi gjobë, ngarkoje që ta kthej në situatën që ti e mendon se është në përputhje me ligjin dhe ngarkoja faturën financiare atij që e ka bërë demon dhe jo të shpenzosh para publike. Nëse ti punon ditën e dielë, sipas kodit të punës duhet t’i paguash njerëzit dyfish. Aksioni në këtë rast më shumë të lë përshtypjen e përdorimit të verbër të institucionit  se sa të krijon idenë që institucioni qenka lebetitur nga paligjshmëria dhe po kthen ligjshmërinë duke punuar të premten, të shtunën e të dielën. Ndoshta do ta lenë punën gjatë ditëve të javës dhe do të kthehen sërish aty në fundjavë për të punuar me fadroma. Më shumë se çështje drejtësie është padrejtësi dhe më shumë se çështje ligjshmëri këtu është harbutllëk.

Zoti Dervishi, ju pyes më konkretisht. A është kjo një goditje që po i jep në fakt Kryeministri, qeveria, medias tonë dhe të mos harrojmë këtu që ne rrezikojmë të nxirremi nga një godinë nga ku jeni prej 20 vitesh dhe ku është investuar shumë, jo pak….

Nisida, të jem i sinqertë me ju dhe median tuaj. Janë dy gjëra: media më shumë ka goditur veten sesa e ka goditur qeveria, me piruetat që bën herë pro njërit e herë kundër tjetrit, herë duke i fshehur ngjarjet duke i bërë të paqena dhe këtu nuk po flas vetëm për ju si news24.

Situata e dytë ka të bëj me një gjë që për mua më duket e gabuar dhe e padrejtë. Nëse Neës24 ka dekada aty, ka investuar në disa godina që në dijeninë time kanë qenë thjesht mure që ndoshta edhe ato janë rindërtuar nga e para, atëherë ky rast nuk duhet trajtuar si një biznes i thjeshtë, sepse bizneset e tjera kanë privatizuar dhe marrë prona kur ajo që kanë investuar ka tejkaluar vlerën fillestare të godinës kur e kanë marroë, por e theksoj se media nuk duhet parë thjesht si biznes, por si një e mirë publike. Në këtë kuptim them se rasti është qartazi ushtrim presioni për të ndryshuar atë që ju e keni deklaruar: politikën editoriale.

Duke mbetur tek media, flas tani për mediat e huaja. është pasqyruar gjithë kjo çfarë ka ndodhur në Prestige Resort edhe nga vetë turistët që kanë qenë aty, kanë dërguar live informacione në vendet e tyre ne portale të ndryshme, gjithçka është pasqyruar. Madje ka patur edhe avionë të cilët kanë anulluar fluturimet e tyre. Ju si e komentoni këtë situatë., në kuadër të imazhit për të cilin folëm?

Nuk ka shumë nevojë për koment. Majft të dëgjoje pesë turistë që kanë qenë aty, mjaft që përvoja e këtyre të pestëve do të përcillet tek pesë miq të tyre, mjaft që janë të pranishme rrjetet sociale, mjaft që një blog diku të shkruaj, mjat që menaxherja aty që është e huaj të njoftojë njerëzit e vet dhe dëmi është bërë. është nga ato rastet kur njeriu është në pemë dhe sharron degën ku është ulur. Ajo çfarë po thoja në fillim dhe po e përsëris: nuk më duket se ka veprim logjik. Dhe kur themi që nuk kemi veprim logjik është e tepërt të diskutojmë ligjshmërinë, është e tepërt të diskutojmë rregullin. Nuk ka sens të bëhet kjo që është bërë. Nëse ka situate paligjshmërie ka një mekanizmë të tërë që merret me të, ke gjykatë ku ke mundësi të ankohesh, ke plot rrugë të tjera, janë gjobat… janë gjërat që përmenda më sipër. Fadroma është mjeti i fundit dhe jo mjeti i parë që në orën 8:00 të mëngjesit marshon i shoqëruar nga një kolonë policësh dhe nuk di çfarë rreziku kanë ndjerë aty në resort. Dëmi është bërë.  Nuk është dëmtuar thjesht, ky resort apo ky biznes, janë dëmtuar edhe të tjerët. Kur njerëzit do të pyesin pse ndodh kjo nuk më duket se ka një shpjegim të lehtë përveç faktit se kjo është çmenduri dhe një gjë që nuk ka sens. Më shumë dëmtohen ata që kanë menduar se po dëmtojnë tjetrin. Nga 2014 nuk ka patur asnjë ndërhyrje në atë zonë bregdeti. Hapni google earth dhe shihni fotot . Gjithçka është bërë është bërë pas vitit 2014. Pishinat jane aty prej vitesh. Nuk u ndërtuar fshehtas brenda natës (filimi famshëm italian “Çatia që po ndërtove çatinë e shtëpisë brenda natës, shteti nuk ta prish dot”). Pishinat kanë qenë aty. Plus historia që gjysma e qeverisë ka drekuar e darkuar aty… ka një gjë që .. është çështje inati mes njerëzve që kanë drekuar e darkuar dhe pronarit të biznesit./BW

Read Previous

Dyshohet se vodhën naftën, arrestohen dy kontrollorë të kompanisë në Fier

Read Next

Alibeaj nuk bën dot kuorumin e deputetëve gjatë mbledhjes së sotme