Agroturizmi kuturu, KLSH: S’ka të dhëna zyrtare për investimet, nevojë për strategji të veçantë

Agroturizmi një sektor i veçantë drejt të cilit po kanalizohen investime të shumta private vit pas viti, po zhvillohet në mënyrë të paqartë dhe pa një strategji.

Ai shihet si një sektor i lidhur më shumë me turizmin sesa me bujqësinë kur duhet të jetë e kundërta dhe formula e këtij sektori është që të sjellë përfitim për ekonomitë lokale. Këto janë disa nga përfundimet që ka nxjerrë një auditim i zhvilluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që ka në fokus pikërisht agroruzimin. Dokumenti sqaron se zyrtarisht deri në fillim të vitit 2021 ishin certifikuar 19 agroturizme dhe kishin marrë certifikatë paraprake 8 subjekte.

Sigurisht të vetëquajturit agroturizme pa certifikatë janë në shifra shumë më të larta por këto janë të dhënat zyrtare. Ajo që KLSH sjell në vëmendje është krahasimi i modelit Italian që është lider në mënyrën sesi ka ngritur dhe organizuar ekonominë rurale lokale dhe kombëtare lidhur me agroturizmin.

“Në njëfarë mënyre, në vendin tonë kemi një lloj përmbysjeje të funksionit që duhet të ketë agroturizmi në ekonominë rurale, në kuptimin që nuk përmendet si thelbësor zhvillimi rural dhe bujqësor, duke u trajtuar kryesisht si një lloj turizmi” thuhet në raportin e auditimit.

Një tjetër element dallues në raport me vendin fqinj është ajo e hallkave të përfshira në organizim, rregullim dhe zhvillim të sektorit. Pra në Itali pushteti vendor edhe si pjesë e decentralizimit ka autoritetin për të marrë vendime të rëndësishme mbi produktet e zonës dhe listën totale të tyre.

Auditimi i KLSH sjell në vëmendje se të paktën në vendin tonë edhe pse është bërë përpjekje përmes skemave mbështetëse apo ndryshimeve ligjore për të mbështetur agrotuzimin, zhvillimi po ecën kuturu dhe nuk ka as strategji të veçantë dhe as të dhëna të sakta për investimet e bëra në sektor.

“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nuk ka në strukturën e saj asnjë sektor që i kushtohet agroturizmit dhe nuk disponon asnjë të dhënë statistikore që lidhet me zhvillimin ose gjendjen aktuale të investimeve të kryera.

Nga evidenca e grumbulluar gjatë auditimit u vu re një mungesë e përgjithshme e të dhënave zyrtare kur bëhet fjalë për Shqipërinë dhe asnjë institucion publik, përfshirë INSTAT-in, MZHBR apo Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit nuk po prodhon të dhëna rreth agroturizmit”, nënvizion KLSH.

Po kështu sektori sipas auditimit ka nevojë të madhe për investime dhe shqetësimet kryesore që dominojnë në intervistat me sipërmarrësit janë infrastruktura si dhe rrjeti i amortizuar energjetik.

Pavarësisht politikave që kanë kohë që kanë nisur, përfituesit nga skemat mbeten ende në nivel të ulët, të paktën për një sektor që është trajtuar vetëm pak vite më parë me prioritetet dhe me një paketë të veçantë fiskale.

“Masat mbështetëse për zhvillimin e agroturizmit mbeten akoma në nivele të ulëta. Shkaqet mbeten ende të paqarta por sigurisht mungesa e një strategjie të dedikuar për zhvillimin e Agroturizmit duke e konsideruar si një potencial të lartë për zhvillimin bujqësor rural mbetet kryesor. Synimi kryesor i politikave që nxisin zhvillimin e sektorit të agroturizmit duhet të jetë nxitja e kërkesës nëpërmjet lehtësimit të procedurave dhe evitimit të proceseve komplekse e me kosto shtesë”, thuhet në dokument.Monitor.al

Read Previous

Lirohet kyeministri i Sudanit, Abdalla Hamdok / Mbetet nën “siguri të rreptë”

Read Next

A do të kërkojnë falje Mis Shqipëria dhe Mis Kosova për simbolin me tre gishta?