Abuzimi me kullën në qendër të Tiranës/ Këlliçi: Ndërtuesi u shpërblye me 7 kate pa leje

Kandidati i opozitës në zgjedhjet e 14 majit, Belind Këlliçi, ka denoncuar ndërtimin e kullave në kryeqytet, gjatë një takimi me banorët e Njësisë Nr. 2, në Tiranë.

Këlliçi përmendi konkretisht rastin e kullës së ndërtuar pranë Bankës së Shqipërisë, e cila sipas tij ka 7 kate pa leje.

Ai tha se për këtë paligjshmëri, ndërtuesi Armand Lilo është shpërblyer me një leje të re ndërtimi, në një kohë që qytetarëve të thjeshtë u shkon policia bashkiake kur duan të bëjnë një rregullim në banesat e tyre.

“U dha leja për 26 kate dhe një bandit i lidhur me Erion Veliajn, që quhet Armand Lilo, mori dhe 7 kate pa leje për të ngritur një pallat sipër kullës. Dhe çfarë tha Erion Veliaj; nuk e pashë, nuk e kam parë! E ka 50 metra nga dritarja e vet. Ndërkohë a hapni ju dot ndonjë zgjerim dritareje, rregulloni dot shtëpinë, ndërroni dot pllakat në shtëpi ju pa u ardhur policia bashkiake?! Po çfarë ndodhi me kompaninë, çfarë ndodhi me ndërtuesin? A u penalizua? Ju dha leje ndërtimi tjetër ngjitur, për të bërë një kullë tjetër me shtatë kate të tjera pa leje duke prishur të vetmen qendër rinore që ka gjithë Tirana për të rinjtë”, u shpreh Belind Këlliçi.

Ai garantoi banorët e Njësisë Nr.2, se pas 14 majit të tilla paligjshmëri do të marrin fund, ndërsa do të mbrohet trashëgimia kulture e Tiranës. Belind Këlliçi u shpreh gjithashtu se do të ketë dhe një plan rregullues, për 20 vitet e ardhshme.

“Tirana ka nevojë për herë të parë të ketë një plan rregullues, për një dekadë, për 20 vite, se këtu për hir të së vërtetës drejtohet sot për nesër. Për hir të së vërtetës e kemi ruajtjen e trashëgimisë kulturore një nga pikat kyçe. Domethënë, ajo që ka ndodhur, more rrugën e Kavajës, mjafton të përmendim “Radio Tiranën”, e kanë lënë në mjerim, të shkatërrohet qëllimisht, rrezik do t`i vënë dhe zjarrin. Ky fenomen do të marrë fund njëherë e mirë pas 14 majit”, deklaroi ai.

Në takim ishin të pranishëm dhe disa nga kandidatët për anëtarë të Këshillit Bashkiak, si Genc Gjokutaj apo Erisa Xhixho, të cilët u kërkuan banorëve të Njësisë Nr.2, të mbështesin Belind Këlliçin në zgjedhjet e 14 majit, në mënyrë që pas kësaj date, të bëhet realitet programi i tij për Tiranën.

Read Previous

Fatura e arbitrazheve

Read Next

Borë dhe në Jug, zbardhet Llogaraja