A i ndryshon vërtet njerëzit pushteti?

A është e vërtetë që pasja e një pozicioni me pushteti i korrupton njerëzit, duke i bërë ata më pak të ndjeshëm ndaj të tjerëve? Shkenca ka vite që e studion këtë fenomen, dhe ka të dhëna që ia vlen të mësohen

Shpeshherë dëgjojmë të thuhet se pushteti i ndryshon njerëzit. Po ashtu se mbajtja e një posti shumë të lartë, e kënaq shumë mendjen por e mbyll zemrën. Është e vërtetë se ka disa paragjykime në aspektin e ndikimit dhe fuqisë sociale. Megjithatë, ky është një fenomen real, sepse e kemi parë më shumë se sa një herë.

Mbajtja e një pozicioni të caktuar, kërkon zhvillimin e strategjive dhe sjelljeve të reja. Prandaj, ka një ndryshim që synon të mbështesë atë pozicion, dhe të artikulojë një lidership të aftë të arrijë objektivat. Tani, problemi është se ndonjëherë ky ndryshim nxit sjellje dhe qëndrime agresive apo mungesë ndjeshmërie. Çfarë e shpjegon këtë ndryshim në sjellje? A ndodh në të gjitha rastet apo ka përjashtime? Le ta analizojmë më poshtë.

“Jam mirënjohës që nuk jam një nga ingranazhet e pushtetit, por një nga krijesat që shtypen prej tij.” (Rabindranath Tagore)

Por a është e vërtetë që pushteti i ndryshon njerëzit?

Është fakt se pushteti mund t’i ndryshojë njerëzit. Prandaj edhe ndikimi më i vogël në një mjedis shoqëror, gjeneron ndryshime në sjellje. Për shembull, kur një bashkëpunëtor promovohet në një kompani, disa karakteristika të tij transformohen brenda natës, pikërisht si rezultat i atij pozicioni të ri.

Në një artikull të botuar në “Journal of Management”, studiuesit nënvizojnë se lidershipi dhe pushteti ndryshojnë nga kush e ushtron atë në çdo lloj konteksti organizativ. Megjithatë, pasojat që mund të kenë këto variacione në aspekte të tilla, si ndërveprimi me mjedisin apo mbi mënyrën e marrjes së vendimeve, nuk janë kuptuar ende plotësisht.

Duhet të theksohet se ndërsa mbajtja e një posti të lartë, e transformon sjelljen e një personi, ajo nuk ka pse të jetë gjithmonë negative ose kërcënuese. Siç thekson Daniel Goleman në librin e tij “Lidershipi që sjell rezultate”, ekzistojnë deri në 6 lloje të udhëheqjes dhe që të gjithë, me përjashtim të liderit shtrëngues ose autoritar, janë pozitivë. Ai i referohet udhëheqësve të tillë si:

Timonier

Përbashkues

Vizionar

Demokrat

Model frymëzimi për grupin

Në thelb, nëse është e dukshme që pushteti i ndryshon njerëzit, ky ndryshim mund të përdoret për të gjithë mjedisin, për të arritur qëllimet e përbashkëta. Pushteti mund të ushtrohet në shumë mënyra, dhe ai nuk është gjithmonë negativ apo jofunksional.

Mënyra se si i ndryshon njerëzit pushteti

Po çfarë ndryshon në qenien njerëzore kur ai ka pushtet? A janë vlerat, qëllimet, nevojat, emocionet e tij? Ka shumë elementë që ndryshojnë tek një individ, kur ai merr një pozicion të caktuar. Këto ndryshime janë të motivuara nga nevoja e tyre për të ruajtur atë pozicion, për të arritur qëllimet, dhe për të ndërmjetësuar ndikimin e tyre shoqëror. Në këtë mënyrë, ne thellojmë disa mënyra se si pushteti i ndryshon njerëzit:

Ata ndalojnë së kushtuari vëmendje faktorëve emocionalë

Ekziston një ide e përsëritur për njerëzit e pushtetshëm, dhe ajo lidhet me faktin që atyre u mungon ndjeshmëria. Kjo nuk është një premisë që mund të provohet, por ka dëshmi të një dimensioni të lidhur me të. Universiteti Liaoning në Kinë zbuloi në një sondazh, se ata që janë në pushtet, nuk reagojnë më ndaj stimujve emocionalë të të tjerëve.

Pra një udhëheqës me njëfarë fuqie mund të zbulojë dhe kuptojë emocionet e të tjerëve, por nuk vepron në përputhje me rrethanat. Sepse shpeshherë emocionet anashkalohen. Dhe kjo i jep mundësinë atij të marrë vendime drastike, edhe nëse ato ndikojnë negativisht tek njerëzit e tjerë.

Impulsivitet i shtuar

Në mënyrë ideale, çdo udhëheqës duhet të tregojë një reflektim të mirë, analizë, të menduarit në mënyrë kritike dhe një durim njohës. Kjo është mënyra e vetme për të marrë vendimet më të mira. Megjithatë, njerëzit e pushtetshëm përfundojnë ndonjëherë duke treguar sjellje më impulsive, gjë që i çon ata në hedhjen e hapave të gabuara apo që kanë një kosto të padëshiruar.

Perspektiva më vetjake ose egoiste

Pushteti i përfshin individët në perspektiva më instrumentale dhe egoiste. Për pasojë ndryshimet ndodhin në mënyra të ndryshme, dhe më e zakonshmja është ecja drejt sjelljeve egoiste dhe egoiste, duke çuar shpesh në veprime që janë të dëmshme për shumë grupe. Një tipar i përbashkët i atyre që janë në pushtet, është të mos reagojnë ndaj nevojave, emocioneve dhe sjelljeve të të tjerëve.

Riformulimi i vlerave

Kjo dukuri është e zakonshme. Ka nga ata njerëz që para se të mbërrinin në një pozitë të lartë në fushën organizative, mbrojtën vlera si miqësia, respekti, solidariteti, mirënjohja dhe falja. Por me arritjen në krye, shumë parime etike dhe madje edhe vetë vlerat transformohen. Pastaj ata evoluojnë në dimensione të tilla si pavarësia, vlera, konkurrueshmëria dhe suksesi.

“Sindroma e arrogancës”

Në disa raste, pushteti i ndryshon njerëzit në mënyra shumë negative. Ky ndryshim i sjelljes dhe i emocioneve, mund të kulmojë me “sindromën e arrogancës”. Ky është një model personaliteti i përcaktuar nga karakteristikat e mëposhtme:

Komunikimi i dhunshëm

Vetëbesimi i tepruar

Humbje e harmonisë me grupin e punës

Këta njerëz nuk e shohin më realitetin ashtu siç është. Përkundrazi, jetojnë në një botë paralele, ku kanë rëndësi vetëm nevojat dhe qëllimet e tyre personale. / bota.al

Read Previous

6 qytetërime të zhdukura

Read Next

Pse të rinjtë shqiptarë jetojnë në 1 shtëpi me prindërit?