A është copy paste raporti i DASH?

Nga Lutfi Dervishi 

Kryeministri e quan raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut për vitin 2021 si një copy-paste i një viti më parë.
Por një vështrim i shpejtë i dy raporteve dëshmon se ndërsa struktura është e njëjtë, prej vitesh, ndryshimet janë të dukshme për shkak të ngjarjeve dhe mënyrës si reagohet ndaj tyre.

Në raportin e 2020 flitet për zgjedhjet parlamentare të 2017 dhe në raportin e 2021 flitet për zgjedhjet e viti të kaluar dhe nënvizohet se OSB ka shënuar disa defekte si blerja e votës, rrjedhja e të dhënave personale dhe avantazhe të rëndësishme të partisë në pushtet.
Në raportin e 2020 kryefjala ishte pandëshkueshmëria, ndërsa në raportin e 2021 përmendet bilanci i SPAK me hetimet, gjykimet dhe ndëshkimet e zyrtarëve dhe organizatave kriminale.

Raporti i bërë publik dje nënvizon se për zgjedhjet “Partia në pushtet mori avantazhe të rëndësishme, duke përfshirë kontrollin e saj mbi administratat lokale, dhe nga keqpërdorimi i burimeve administrative. Kjo u përforcua nga pasqyrimi pozitiv i institucioneve shtetërore në media.” Misioni theksoi gjithashtu disa mangësi, duke përfshirë pretendimet e besueshme për blerje të përhapura votash nga partitë politike dhe rrjedhjen e të dhënave personale.

Raporti zbuloi se gazetarët mbetën të pambrojtur ndaj presionit dhe korrupsionit.
Në rapotin e 2020, përmendet shkarazi vrasja e të riut Rasha, ndërsa raporti i bërë publik dje jep hollësi për çfarë ndodhi më pas si dhe i referohet edhe ndalimit të 357 personave 126 prej tyre të mitur pas protesës që pasoi vrasjen e të riut nga policia.

Të dy raportet si ai i 2020 ashtu edhe ai 2021 kanë një të përbashkët: nënvizimin e mos zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, por nëse në vitin 2020 kishim 33 vendime të pa zbatuara, ky numër brenda një viti ka shkuar në 66 dhe fatura është miliona euro.

Raporti i 2021 i kushton vëmendje edhe 900 mijë të dhënave të qytetarëve që u bënë publike para zgjedhjeve dhe nënvizon faktin që votuesit kanë qenë potencialisht nën presion. Një hetim u nis nga SPAK (vitin tjetër do të shënohen rezultatet 0 të këtij hetimi)
Më 2021 Unioni Gazetarëve i cituar në raport shënon 11 raste të dhunimit dhe intimidimit të punonjësve të medias.
Ka një fjali që nuk ndryshon në të dy raportet: 700 personat pa shtetësi në Shqipëri sipas UNICEF.

Por le të mendojmë për një moment se nuk ka ndryshim raporti i vitit 2020 nga ai i 2021? A mund të quhet/shitet kjo si diçka pa rëndësi dhe aq më keq si diçka pozitive?!
Me këtë logjikë i bie që vitin tjetër të mos shqetësohemi se raporti i 2022 do të jetë copy paste i 2021?!

Read Previous

Biden akuzon Putinin për gjenocid, por Franca nguron

Read Next

Çfarë i detyrohet Shqipëria plazhit të Durrësit?