A duhet shtetëzuar transporti urban?

Nga Klodian Tomorri
Ka patur një debat mes ekonomistëve nëse shërbimi i transportit urban është apo jo monopol natyror?
Evans në vitin 1991 studioi shërbimin e autobusave urban në Londër dhe përfundimi ishte se po.
Ky shërbim ishte një monopol natyror.
Dy karakteristikat e monopolit në rastin e transportit urban rrinë plotësisht. Kostot fikse janë shumë më të larta se ato variabël dhe kostot mesatare qëndrojnë mbi ato marxhinale edhe për sasi të medha produkti.
Ndaj si rezultat monopoli natyror mund të ofrojë shërbimin me kosto më të ulët se sa konkurrenca.
Si rregull monopolet natyrore është më mirë që të jenë në duart e shtetit se sa ato të privatit.
Dhe ka një arsye shumë të fortë ekonomike se pse. Një monopol mund ta ofrojë shërbimin në katër nga mënyrat e mëposhtëme:
1-Çmim i lartë shërbimi duke prodhuar në nivelin e monopolit.
2-Çmim të barabartë me koston mesatare
3-Çmim të barabartë me koston marxhinale
4-Çmim zero për shërbimin.
Varianti i parë, që ndryshe quhet ekuilibri i monopolit, maksimizon fitimet për monopolistin,
por shkakton humbje për shoqërinë. Termi në anglisht është deadweight loss, në shqip nuk e di si e kanë përkthyer.
Varianti i dytë transferon një pjesë të surplusit nga monopolisti tek qytetarët, por sërish rezulton me humbje për shoqërinë.
Varianti i tretë eliminon plotësisht humbjet për shoqërinë, por në këtë rast monopoli nuk arrin të mbulojë kostot ndaj kërkohet subvencioni nga taksat.
Varianti i katërt shkakton humbje për shoqërinë, çon në mbikërkesë për shkak të free rider dhe kërkon shumë subvencion.
Pra në katër mundësitë, e treta është më efiçentja. Si rregull monopolet natyrore duhet të dalin me humbje, e cila duhet të financohet me subvencion nga taksat. Në çdo variant tjetër shoqëria humbet.
Por në privat varianti i tretë nuk mund të realizohet, ndaj monopolet natyrore është mirë që të jenë në duart e shtetit.
Tani kjo krijon problemin tjetër. Në shtet vidhet, keqmenaxhohet dhe kompania përdoret për qellime politike.
Por ka një masë që mund ta korrektojë disi këtë problem.
Monopoli mbahet në pronësi shtetërore, por jepet në administrim privat.
Disa nga linjat më të suksesshme të transportit urban nëpër botë, kanë pikërisht këtë model.
Rasti më klasik është Tokyo.

Read Previous

Basha nuk është Balsha

Read Next

Grushti i Angela Merkelit kundër “babait” të saj politik