(3) Majmuni Kiko denoncon në SPAK majmunin Abu!

Nga Lutfi Dervishi

Unë i nënshkruari majmuni Kiko, i lindur në pyjet e Amazonës nga nëna, majmunja Kika dhe me baba të panjohur. Banues në Sarandë, me kartë 5-vjeçare rezidenti. Me arsim fillor. Beqar. I padënuar më parë, por aktualisht nën hetim për ngjarjen e datës 14 korrik 2022 me akuzën goditje për shkak të detyrës (neni 237 i Kodit Penal). Hetimi është hapur pas denoncimit të 3 policëve dhe një turisti grek ndaj të cilëve kam bërë një kundërpadi për shkak të fyerjes (neni 119 i kp)
I ndërgjegjshëm për pasojat ligjore që sjell një kallëzim i rremeu,(neni 245 i Kodit Penal) kam nderin të denoncoj para jush si më poshtë vijon:

Së pari desha të sqaroj si vijon:
Nisur nga raportimet mediatike pas ngjarjes në Portin e Durrësit ku mungonin 49 arka me banane dhe pas marrjes në pyetje dje nga prokurori për këtë çështje në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, dëshiroj t’iu sqaroj privatisht dhe publikisht se dje keni ngatërruar majmun. Ju lutem merruni me majmunin Abu. Në terminologjinë jurdike, ngatërrimi i personit quhet “lajthitje në objekt”.
Sikundër e shpjegova më lart unë akuzohem për krim ordiner dhe jo për krim të organizuar. Unë mund të quhem gangster, por kurrsesi mafioz.

Gjatë këtyre 24 orëve të fundit, i shqetësuar për cënimin e nderit dhe dinjitetit jo vetëm timin, por edhe të komunitetit që përfaqësoj, kam bërë vettingun e majmunit Abu.
Dyshimet e mira nisën kur majmuni Abu i Banaking kërkoi me këmbëngulje të hiqej urgjentisht imazhi i tij, nga reklama e Banaking se po i dëmtohet rëndë imazhi.

Nga kërkimet e detajuara kam marrë informacionet e më poshtme.
“Majmuni Abu së shpejti do t’i jepet statusi i majmunit strategjik. Pas kësaj ai do të ketë një kafaz të artë dhe plantacion bananesh në Drimadhes. Në dokumentat e paraqitura, thuhet se do të investohen miliona euro dhe do të punësohen dhjetëra e dhjetëra njerëz pasi Drimadhes do të kthehet në në atraksion turistik.

Nga kërkimet në google (kërkim i avancuar) më rezulton se majmuni Abu ka kontakte të papërshtatshme me majmunë me precedent në Ekuador, në Kolumbi, në Venezuelë dhe në Peru.
Aktivitetin kriminal në Shqipëri e ka nisur duke korruptuar njerëz të artit dhe kulturë. E ka nisur në mesin e viteve 90, kur në pushtet këtu ishin demokratët me Dashnor Dikun i cili me këngën e tij “Banania” popullarizoi frutin ekzotik, deri atëherë të panjohur, në Shqipëri.
Abu, sot është koka e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Me aktivitetin e tij, tashmë të pranuar, majmuni Abu ka hedhur poshtë teorinë e Darvinit. Deviza e Abut është: njerëzit në shërbim të majmunit dhe jo e kundërta.
Abu, është personi i parë i dyshuar për sulmin kibernetik te e-albania.
Abu, ka financuar protestën e fundit të opozitës.
Abu, është personi që lëviz paratë e incineratorëve
Abu është mbartësi i përkryer i të gjitha veseve njerëzore, përfshirë dhe krimin e organizuar..
Abu është një turp i species tonë dhe krenaria e botës kriminale njerëzore.

Kiko: Abu eshte mbartesi i perkryer i te gjitha veseve njerezore, perfshire dhe krimin e organizuar.
Me aktivitetin e tij, majmuni Abu kërkon që politika në këtë vend të ushtrohet pa ndërgjegje dhe dihet nga historia që politika e ushtruar pa ndërgjegje të çon në kriminalitet.

Qëllimi final i majmunit Abu me gjithë këto aktivitete është që ta kthejë Shqipërinë, këtë mrekulli që ka falur Zoti, në një Republikë Bananesh.
Sikundër, nuk dyshoj se ju e dini i nderuar zoti Prokuror, Republikat e Bananeve janë republika të destabilizuara politikisht, me një lider të fortë të rrethuar nga një grup oligarkësh që synojnë të dëshpërojnë njerëzit me të sundojnë pafundësisht.
Krejt në fund zoti prokuror kërkoj prej jush të shënohet edhe protesta ime e fortë ndaj medias. Të gjithë flasin për mua dhe ka një heshtje mafioze për majmunin Abu.

Me konsideratë

Majmuni Kiko.

Sarandë, 18 korrik 2022

Read Previous

Kontejneri me “banane” 8 ditë në port, askush nuk u paraqit ta tërhiqte!

Read Next

Një biografi e re mbretërore që përmban rrëfime nga “të brendshëm që nuk kanë folur kurrë më parë” pritet të publikohet më 21 korrik në Mbretërinë e Bashkuar.