2022, inflacioni mesatar 6.7% niveli më i lartë në 24 vite, të varfrit më të ekspozuar

Në vitin 2022 rritja e përgjithshme e çmimeve (inflacioni) ishte 6.7 % duke shënuar nivelin më të lartë të 24 viteve të fundit, që nga 1998 ku treguesi shënoi 21.6 për qind prej çrregullimeve që krijuan në ekonomi ngjarjet e vitit 1997.

Ky nivel i ri i inflacionit vjen pas një stabiliteti të gjatë ku që nga 2012-ta, inflacioni vjetor ka qenë gjithnjë më i ulët se 2 për qind. Gjatë kësaj periudhe kushtet e financimit si për individët ashtu edhe për qeverinë ishin favorizuese.

Rritja e inflacionit përtej mesatares historike të periudhës së tranzicionit nuk është një fenomen shqiptar, por global që u nxit fillimisht nga pandemia Covid-19 dhe më pas lufta në Ukrainë. Të dy këto ngjarje dëmtuan zinxhirët e furnizimit për disa produkte jetike si energjia, nafta dhe ushqimet.

Banka Botërore ka analizuar se në vendet me varfëri të lartë, ku bën pjesë edhe Shqipëria rritja e çmimeve është edhe më e dëmshme, për faktin se popullsia gjysmën e konsumit mujor e përdor për ushqime.

INSTAT raportoi se familjet shqiptare ne vitin 2021 çuan 41 për qind të shpenzimeve mujore për ushqime. Në vitin 2022 inflacioni i grupi të ushqimeve u rrit me 12 % për qind gati dyfishi i rritjes së përgjithshme të çmimeve.

Banka Botërore pak kohë më parë vlerësoi se inflacioni në Shqipëri më së shumti shpreh ndryshimin e çmimeve për shtresën e mesme teksa theksoi se, familjet e varfra në Shqipëri përballen me një inflacion më të lartë se sa raportimet e INSTAT.

20 përqindëshi i poshtëm i popullsisë që ka të ardhurat më të ulëta, ka një peshë më të lartë të shpenzimeve mujore për ushqime që arrin më shumë se 60 për qind.

Inflacioni është tregues kryesor i ekonomisë në bazë të të cilit qeveria dhe bizneset indeksojnë të gjitha shpenzimet. Psh Qeveria me masën e inflacionit duhet të indeksoje pagat e administratës shtetërore, pensionet, pagesat e ndihmës ekonomike, të papunësisë, etj.

Nisur nga situata e re që ka krijuar inflacioni i lartë Banka Botërore ka indeksuar kufijtë varfërisë duke marrë në konsideratë zhvillimet në inflacion.

Kufiri i varfërisë në vendet me të ardhura të mesatare ku bën pjesë edhe Shqipëria u rrit në 6.85 USD në ditë nga 5.5 USD në ditë (e matur sipas barazisë së fuqisë blerëse) që ishte vitin e kaluar, me një indeksim me 21 për qind.

Me përllogaritjen e re çdo shqiptar që shpenzon më pak se 6.85 USD në ditë quhet i varfër me 2022. Qoftë edhe statistikisht varfëria si fenomen mund të rritet në Shqipëri nga indeksimi i kufirit të varfërisë.

Banka përllogariti se, më shumë se 23 % e popullsisë së vendit jeton në varfëri në vitin 2022, por fenomeni pritet të zgjerohet më tej me rreth 8.4% nga kriza e çmimeve të larta. Edhe në perspektiven afatmesme Shqipëria do të mbetet si vendi me varfërinë më të lartë në rajon, por edhe më gjere në Europë./Monitor

Read Previous

Nisin shkarkimet nga HEC-i i Vaut të Dejës. Disa zona në Shkodër pa energji elektrike

Read Next

Kurti: Marrëveshja me Serbinë mund të arrihet brenda pak muajsh